TAP FILLON PROCESIN E PARAQITJES SË VNMS NË SHQIPËRI Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP FILLON PROCESIN E PARAQITJES SË VNMS NË SHQIPËRI

11 prill 2011

Baar, Zvicër. Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) deklaroi sot se ka filluar procesin zyrtar të Vlerësimit të Ndikimit të tij Mjedisor dhe Social (VNMS) përmes dorëzimit të Raportit Para-Studimor “Scoping”. Dokumenti iu paraqit autoriteteve shqiptare kombëtare dhe rajonale, si dhe më shumë se 100 palëve të interesuara respektive. Ky raport është në përputhje me Udhëzimet për Praktikat më të Mira të përcaktuara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Raporti përfshin një përshkrim të detajuar të gjurmës së preferuar të tubacionit TAP, të identifikuar gjatë studimeve intensive cilësore në Shqipëri gjatë viteve 2009 - 2010. Gjithashtu, ai përmban një shpjegim gjithëpërfshirës mbi ndikimet e mundshme mjedisore dhe sociale të gjurmës së përzgjedhur si dhe masat e përshtatshme zbutëse. Në mënyrë të veçantë iu kushtua vëmendje shmangies së habitateve natyrale të ndjeshme. Një rezultat i drejtpërdrejtë do të jetë shmangia e Parkut Kombëtar të Hotovës dhe të luginës së lumit Vjosë e tubacionit të TAP.

Duke hyrë nga Greqia në Miras të rajonit të Korçës, pjesa shqiptare e gjurmës shtrihet për një gjatësi të përgjithshme prej 209 km deri në bregdet, në veri-perëndim të Fierit. Pjesa detare do të jetë 60 km e gjatë, duke kaluar përmes Detit Adriatik dhe duke hyrë në Italinë jugore. Në vijim të raportit para-studimor që i është dorëzuar Qeverisë Shqiptare dhe një game të gjerë palësh të interesuara, OJF dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare si Banka Botërore, GTZ dhe BERSH, TAP do të organizojë gjithashtu një numër takimesh konsultative kombëtare dhe rajonale prej 11 - 28 Prillit. Këto sesione do të mbahen në Tiranë, Korçë, Çorovodë, Berat dhe Fier.

TAP do të jetë një prej investitorëve të drejtpërdrejtë të huaj në Shqipëri dhe do të ndihmojë në zhvillimin e infrastrukturës energjetike të vendit, duke nxitur kështu rritjen ekonomike, duke krijuar vende pune dhe duke zhvilluar aftësitë vendore. Tubacioni mund të ndihmojë Shqipërinë për të përmbushur nevojat e saj vendore për energji, duke sjellë gaz nga deti Kaspik në tregun shqiptar dhe duke ofruar një nxitje për infrastruktura të ardhshme gazi në vend.

Duke komentuar, Dr. Kai Schmidt Soltau, Menaxheri i PSK & Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social, tha: “Duke përfshirë aktivisht qeverinë dhe komunitetet vendore në procesin e përzgjedhjes së gjurmës që nga fillimi i projektit, gazsjellësi Trans Adriatik ka qenë në gjendje të fitojë shumë mbështetje dhe të krijojë besim në Shqipëri. Që prej fazave të para, të gjitha palët e interesuara kanë pasur mundësinë që të diskutojnë shqetësimet e tyre me ne dhe që vërtetë të jepnin kontributin e tyre në gjurmën tonë të përzgjedhur.”

Martin Ferguson, Drejtor i Shëndetit, Sigurisë dhe Mjedisit në TAP shtoi: “Ky proces përbën një shembull shumë të mirë për kompanitë e tjera ndërkombëtare të cilat kanë si synim të hapin biznese në Shqipëri. Duke komunikuar dhe duke përfshirë të gjitha palët e interesuara dhe duke u siguruar se ne i jemi përmbajtur praktikave më të mira ndërkombëtare në çdo fazë, gazsjellësi Trans Adriatik ka pasur shumë sukses. Në jemi të gatshëm të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Qeverinë Shqiptare dhe shqiptarët në të ardhmen.”

Pas komenteve dhe opinioneve që do të merren për Raportin Para-Studimor, TAP do t’ia dorëzojë Raportin e VNMS Qeverisë Shqiptare gjatë tremujorit të tretë të vitit 2011. TAP pret që miratimi zyrtar i VNMS të bëhet shumë përpara fillimit të ndërtimit të tubacionit. Si të japim komente mbi Raportin Para-Studimor “Scoping” mbi VNMS Çdo individ apo grup që është i interesuar për projektin është i ftuar që të shkarkojë Raportin Scoping dhe të japë komente mbi të.

Raporti ”Scoping” për VNMS në gjuhën shqipe mund të shkarkohet nga kjo faqe interneti:​ Albanian

Scoping Report on Environmental and Social Impact Assessment (ESIA), Albania​ English

Komentet mund të përcillen deri më 30 Qershor 2011.

Përmes email: esia-comments@tap-ag.com

Nëse ju keni hasur vështirësi të na kontaktoni në këtë adresë e-maili  (gjatë 10-20 Prill) ju lutemi provoni përsëri - një problem i mundshëm tani është korrigjuar.

Përmes postës: Trans Adriatic Pipeline AG – Shqipëri (Zyra Përfaqësuese), Torre Drin, Rruga Abdi Toptani, Tirana, Albania.

Pyetje nga Media: Trans Adriatic Pipeline, + 41 41 747 3467,​ media@tap-ag.com

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt gazi natyror. Tubacioni prej 520 km do të transportojë gaz nga rajoni i detit Kaspik nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë dhe do të kalojë nëpër detin Adriatik duke dalë në Italinë jugore dhe më tej në Evropën perëndimore. TAP do të hapë një të ashtu-quajtur Korridor Perëndimor Gazi për Evropën dhe do të krijojë një treg të ri prurje për gazin natyror nga deti Kaspik.

Projekti është hartuar në mënyrë të tillë që të rrisë kapacitetin e transportit nga 10 në 20 mmk në vit, në varësi të prurjeve. Projekti TAP gjithashtu parashikon rrjedhje fizike në drejtimin e kundërt deri në 8 mmk si dhe mundësinë për të zhvilluar struktura për mbajtjen e gazit natyror në Shqipëri për të ofruar më shumë siguri furnizimi gjatë ndërprerjeve operacionale të prurjes së gazit.

Aksionerët e TAP janë kompania zvicerane EGL (42.5%), kompania norvegjeze Statoil (42.5%) dhe kompania gjermane E.ON Ruhrgas (15%). ​

NJOFTIM PËR SHTYP: TAP FILLON PROCESIN E PARAQITJES SË VNMS NË SHQIPËRI45.33 Kb