Greqia, Italia dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje ndërqeveritare tri palëshe duke treguar mbështetje të plotë për TAP Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

Greqia, Italia dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje ndërqeveritare tri palëshe duke treguar mbështetje të plotë për TAP

13 shkurt 2013

Athinë, Greqi. Qeveritë e Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë përforcuan sot mbështetjen e tyre të plotë dhe zotimin me Projektin Trans Adriatic Pipeline (TAP) duke nënshkruar një marrëveshje ndërqeveritare tri palëshe (IGA).

Marrëveshja u nënshkrua në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë në Athinë dhe përforcon një sërë angazhimesh të Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë lidhur me çuarjen përpara të zhvillimit, ndërtimit dhe funksionimit të gazsjellësit TAP. Në kuadrin e Traktateve të Komunitetit dhe Traktatit të Komunitetit të Energjisë, kjo marrëveshje do të sigurojë bashkëpunimin e shteteve lidhur me dorëzimin në kohë dhe funksionimin efikas të gazsjellësit TAP.

Kjetil Tungland, Drejtori Menaxhues i TAP-it, deklaroi: “Dëshiroj të falënderoj të gjithë qeveritë për mbështetjen dhe përkushtimin që solli sot nënshkrimin e kësaj marrëveshje të rëndësishme. Kjo marrëveshje midis vendeve pritëse të TAP-it hap themele të forta dhe vendos sigurinë afat gjatë që nevojitet për të çuar projektin përpara drejt përzgjedhjes dhe ndërtimit. Tani ne shohim përpara që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të frytshëm dhe të bëjmë Projektin TAP një realitet.”

Michael Hoffmann, Drejtori i Punëve me Jashtë të TAP-it, deklaroi: “Nënshkrimi i kësaj marrëveshje përforcon më tej mbështetjen e vendeve pritëse për TAP-in nga pikëpamja ligjore dhe rregullatore. Për TAP-in, kjo përmbyll marrëveshjen e fundit në rang të lartë politik ndërkombëtar, që është e rëndësishme për procesin e ardhshëm të përzgjedhjes nga Konsorciumi i Shah Deniz.”

TAP është njëri nga projektet gazsjellëse që po zhvillohen për të transportuar gazin e Shah Deniz-it për në Evropë dhe është e vetmja alternativë gazsjellëse që përshkon Greqinë. Konsorciumi Shah Deniz do të bëjë përzgjedhjen e tij të fundit mbi projektin e Korridorit Jugor të Gazit brenda qershorit të këtij viti.

Gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline do të sjellë investime të huaja të drejtpërdrejta të konsiderueshme dhe punësim lidhur me ndërtimin e këtij gazsjellësi madhor në të tri vendet pritëse – Greqi, Shqipëri dhe Itali.
Mbi TAP-in

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt i tubacionit të gazit natyror. Tubacioni planifikon të transportojë gaz nga rajoni Kaspik nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë përmes detit Adriatik në Italinë jugore dhe më tej në Evropën Perëndimore. Projekti synon të përmirësojë sigurinë e furnizimit si dhe zgjerimin e furnizimit me gaz për tregjet Evropiane. TAP do të hapë të ashtuquajturin Korridor Jugor të Gazit për në Evropë dhe do të krijojë një treg të ri për gazin natyror nga deti Kaspik.

Projekti është hartuar të zgjerojë kapacitetin e transportimit nga 10 në 20 bcm në vit. TAP ka planifikuar edhe rrjedhjen e kundërt fizike deri në 80 përqind dhe opsionin për të zhvilluar mjedise për të ruajtur gazin natyror në Shqipëri për të siguruar më tej sigurinë e furnizimit gjatë çdo ndërprerjeje operacionale të furnizimit me gaz..

Aksionerët e TAP-it janë Axpo i Zvicrës (42.5%), Statoil i Norvegjisë (42.5%) dhe E.ON Ruhrgas i Gjermanisë (15%).

Për informacione të mëtejshme dhe foto nga ceremonia e nënshkrimit të IGA-s, lutemi kontaktoni në: media@tap-ag.com