Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP paraqet njoftimin e kontratës për ndërtimin e stacioneve të kompresorëve në Greqi dhe Shqipëri

05 qershor 2014

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) po vijon parakualifikimin e furnitorëve të mundshëm për ndërtimin e gazsjellësit të gazit natyror me trysni të lartë prej 870 km gjatësi si dhe infrastrukturën e lidhur me të në Greqi, Shqipëri, Detin Adriatik dhe me dalje në tokë në Italinë e Jugu.

Këtë javë TAP-i ka paraqitur njoftimin e tij të tretë të kontratës në Gazetën Zyrtare të BE-së – Gazeta e BE-së Link to the announcement for the construction of compressor stations in Greece and Albania. Do të nevojiten dy stacione kompresorësh për transportimin vjetor të 10 bcm gaz natyror përgjatë të gjithë gjurmës së gazsjellësit nga lindja në perëndim. 

Fushë veprimi i kësaj kontrate do të përfshijë Fazën Inxhinierike, Prokurimin, dhe Ndërtimin e një stacioni kompresor në Shqipëri në afërsi të Fierit (me matje fiskale, dhe një stacion për matje rrjedhjeje në Shqipëri në afërsi të Bilishtit), si dhe një stacion kompresori në Greqi në afërsi të Kipoit (me matje fiskale).*

Kompanitë e interesuara që të parakualifikohen për këtë kontratë duhet të kërkojnë një pyetësor parakualifikimi nga TAP-i jo më vonë se 16.06.2014. Kjo kërkesë mund t’i dërgohet TAP-it me postë elektronike në adresën pqq.stations@tap-ag.com. Vetëm një numër i përzgjedhur kompanish të parakualifikuara do të ftohen të marrin pjesë në fazat e tenderimit të procesit të prokurimit të TAP-it për ndërtimin stacioneve kompresorë.

Knut Steinar Kvindesland, Drejtor i Prokurimeve i TAP-it, shprehet se: “Fusha e veprimit të punës së kësaj kontrate është shume komplekse. Kontraktuesit e mundshëm duhet të tregojnë se kanë ekspertizë tepër të veçantë në ndërtimin e stacioneve të kompresorëve të gazit natyror, përveç përvojave në shumë disiplina të tjera në infrastrukturën energjetike, përfshirë këtu edhe aftësi të mëdha menaxhimi projektesh.”

Kontraktuesit EPC të TAP-it do të jenë përgjegjës për sigurimin e mëtejshëm të nën-kontraktuesve për zbatimin e pjesëve të veçanta të detyrave të kontratës. Pritet që këto veprimtari do të krijojnë vende të reja punë dhe do të krijojnë mundësi të reja ekonomike në rajon. Ndërtimi i stacioneve të kompresorëve planifikohet të nisë në vitin 2016 dhe do të duhen rreth dy vjet për përfundimin e ndërtimit. 

Stacionet e kompresorëve do të ndërtohen në përputhje me standardet ndërkombëtare të industrisë mbi shëndetin dhe sigurinë, do të vendosen në largësi të madhe nga zonat me popullatë të dendur, dhe do të shkaktojnë ndikim minimal mbi mjedisin dhe komunitetet vendore. TAP-i ka hartuar një grup masash për lehtësimin e ndikimit siç edhe përshkruhet në Vlerësimet e tij të Ndikimit Mjedisor dhe Social (ESIA në Shqipëri dhe ESIA në Greqi).

Parakualifikimi aktual është i treti dhe ndjek njoftimet për kontrata mbi ndërtimin e rrugëve dhe urave në Shqipëri dhe shërbimet për ndërtimin e pjesës tokësore të tubacionit në Greqi dhe Shqipëri.
Njoftimet e tjera për kontrata që do të paraqiten nga TAP-i në javët në vazhdim do të jenë mbi parakualifikimin e kompanive që do të furnizojnë Kompresorët me Turbo dhe Valvula me Diametër të Madh.

* Njoftimet e kontratave për dy stacione kompresorësh shtesë në Greqi dhe Shqipëri (për zgjerimin e ardhshëm të kapacitetit të gazsjellësit në 20 bcm) do të bëhen në një moment të dytë.

Mbi Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP)
TAP do të transportojë gaz nga fusha shumë e madhe e Shah Deniz II në Azerbajxhan drejt Evropës. Gazsjellësi me gjatësi rreth 870 km do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin Turko-Grek në afërsi të Kipoit. Më pas do të përshkojë Greqinë, Shqipërinë, dhe Detin Adriatik përpara se të dalë përsëri në tokë në Italinë e Jugut. TAP-i do të promovojë zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Ai do të jetë një burim madhor i investimeve të huaja direkte dhe nuk varet nga grantet ose subvencionet. Ndërkohë që shitjet e para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi planifikohen të kryhen në fund të vitit 2018, furnizimet e para në Evropë do të vijojnë rreth një vit më vonë. Aksionarët e TAP-it janë si vijon: BP (20%), SOCAR (20%), Statoil (20%), Fluxys (16%), Total (10%), E.ON (9%) dhe Axpo (5%).

Mbi procesin e prokurimit të TAP-it
Në prill të vitit 2014, pas një shqyrtimi të strategjisë dhe afateve, TAP-i vendosi të rinisë procesin e tij të prokurimeve dhe si rrjedhojë nisën edhe parakualifikimet e reja për të mira dhe shërbime. Procesi i shqyrtuar ka si qëllim të ofrojë një mundësi maksimale për furnitorët kombëtarë e ndërkombëtarë për të marrë pjesë në projekt. TAP dëshiron të inkurajojë të gjithë kompanitë me përvojën e përshtatshme, përfshirë ato që kanë aplikuar më parë, të marrin pjesë në fazë e re të parakualifikimeve.