Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP publikon Ftesat për Tender për Stacionet e Kompresorëve

25 nëntor 2014

 

Baar, Zvicër. Trans Adriatic Pipeline AG (TAP) ka publikuar Ftesat e tij të radhës për Tender (ITT) për stacionet e kompresorëve në Greqi dhe në Shqipëri. TAP ka nxjerrë dy ITT të veçanta, një për Greqinë dhe një për Shqipërinë.

  • Në Greqi ITT-ja do të mbulojë ofrimin e inxhinierisë, prokurimit, ndërtimit dhe testimit të një stacioni kompresori në Kipoi.
  • Në Shqipëri, ITT-ja lidhet me ofrimin e inxhinierisë, prokurimit, ndërtimit dhe testimit të një stacioni kompresori në Fier, dhe një stacioni matës në Bilisht. Stacioni matës është projektuar për të matur sasinë e gazit natyror që vjen nga seksioni grek i TAP-it.

Projekti dhe specifikat për stacionet e kompresorëve do të jenë në përputhje me kapacitetin fillestar të TAP-it prej 10 mmk gaz në vit, të transportuara nga fusha e Shah Deniz II për në Evropë, por do të ekzistojë edhe mundësia e rritjes së këtij kapaciteti deri në 20 mmk në vit.

Ndërtimi i Gazsjellësit Trans Adriatik planifikohet të nisë në fillim të vitit 2016. Pika më e lartë e TAP-it do të jetë në rreth 1800 metra mbi nivelin e detit në malet e Shqipërisë dhe përgjatë gjurmës së tij TAP-i do të kryqëzohet me shumë rrugë e lumenj.

TAP-i planifikon t’i akordojë kontratat për stacionet e kompresorëve në gjysmën e dytë të vitit 2015. Ftesa e ardhshme për Tender që do të publikohet do të ketë të bëjë me prokurimin e njësive turbo kompresore për stacionet e kompresorëve në Greqi dhe Shqipëri, si dhe për prokurimin e valvulave me sfera me diametër të madh për Greqinë, Shqipërinë dhe Italinë. TAP-i planifikon t’i publikojë këto ITT brenda tre mujorit të fundit të vitit 2014.

Knut Steinar Kvindesland, Drejtor i Prokurimeve për TAP tha: “Përzgjedhja e ofertuesve që janë ftuar të tenderojnë për stacionet e kompresorëve ka kaluar me sukses një proces rigoroz para kualifikimi. Aftësia e ofertuesve për të përmbushur standardet e larta të TAP-it në lidhje me Shëndetin, Sigurinë dhe Mjedisin dhe aftësia e tyre për të treguar se kanë një politikë me tolerancë zero ndaj dëmit kanë qenë dhe do të vijojnë të jenë pika kyçe në përzgjedhjen e ofertuesve.”

Kontraktorët e TAP-it për Inxhinierinë, Prokurimin dhe Ndërtimin (EPC) do të kenë gjithashtu përgjegjësinë për sigurimin e nënkontraktorëve të mëtejshëm për zbatimin e pjesëve të veçanta të detyrave të kontratës. Kjo mund të krijojë mundësi të tjera punësimi dhe biznesi, duke kontribuar kështu në prosperitetin ekonomik të vendeve ku do të kalojë TAP-i.

Për informacione të mëtejshme mbi procesin e prokurimit të TAP-it dhe kontratat që ai planifikon të lëshojë, ju lutemi vizitoni: www.tap-ag.com/project-opportunities/for-companies

Nëse jeni nënkontraktor dhe jeni të interesuar të punoni për një nga kompanitë që TAP-i do të përzgjedhë për kontratat e tij, ju lutemi vizitoni: www.tap-ag.com/project-opportunities/for-companies/interested-in-working-as-subcontractor për të regjistruar detajet tuaja. Ky informacion do t’u përcillet kompanive të ftuara për të tenderuar në procesin e prokurimit të TAP-it.

 

FUND

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Evropë. Gazsjellësi me gjatësi prej rreth 870 km do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në afërsi të kufirit turko-grek në Kipoi, do të përshkojë Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik dhe do të dalë përsëri në tokë në Italinë e Jugut.

Gjurma e TAP-it mund të lehtësojë furnizimin me gaz në disa vende të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë, si dhe vende të tjera. Dalja e TAP-it në Itali ofron mundësi të shumta për transportin e mëtejshëm të gazit Kaspik drejt disa prej tregjeve më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Austria.

TAP-i do të promovojë zhvillimin ekonomik dhe punësimin përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Ai do të jetë një burim madhor i investimeve të huaja direkte dhe si projekt nuk varet nga grantet apo subvencionet. Ndërkohë që shitjet e para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi priten të kryhen në fund të vitit 2018, furnizimet e para në Evropë pritet të vijojnë rreth një vit më vonë.

Aksionarët e TAP-it janë BP (20%), SOCAR (20%), Statoil (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Pyetje nga Media: media@tap-ag.com

Më shumë rreth TAP-it: www.tap-ag.com|www.twitter.com/tap_pipeline