TAP Konfirmon Miratimin e VNMS-së së Ndryshuar nga Qeveria e Greqisë Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP Konfirmon Miratimin e VNMS-së së Ndryshuar nga Qeveria e Greqisë

30 nëntor 2015

Athinë, Greqi. Ministria e Mjedisit dhe Energjisë e Greqisë ka dhënë miratimin formal për Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor dhe Social (VNMS) të ndryshuar, dorëzuar nga Trans Adriatic Pipeline AG (TAP) për pjesën greke të tubacionit në dhjetor të vitit 2014.

Ndryshimi i VNMS-së së TAP-it në Greqi përfshin një sërë ndryshimesh të bëra në gjurmën e tubacionit dhe në projektimin e instalimeve të përhershme dhe të përkohshme krahasuar me gjendjen e projektit në qershor të vitit 2013 (data e dorëzimit të VNMS-së). Ndryshimet vijnë më së shumti si rrjedhojë e informacionit të kthyer nga komunitetet e ndikuara, marrë gjatë procesit të gjerë të Angazhimit të Palëve të Interesit ndërmarrë nga TAP-i. Për më tepër, me progresin e projektit, ekipi i TAP-it bëri disa përmirësime në gjurmën e tubacionit, duke synuar si optimizmin e vetë gjurmës, ashtu edhe mbajtjen e ndikimit mjedisor në një nivel sa më të ulët.

Link për vendimin e Qeverisë Greke (në greqisht)

Raporti i VNMS-së së Ndryshuar të TAP-it është në përputhje të plotë si me legjislacionin grek dhe atë të BE-së, si dhe ndjek kërkesat ndërkombëtare të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

FUND

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Evropë. Gazsjellësi me gjatësi prej rreth 878 km do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në afërsi të kufirit turko-grek, në Kipoi, do të përshkojë Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik dhe do të dalë përsëri në tokë në Italinë e Jugut.

Gjurma e TAP mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë, si dhe vendet e tjera. Vend-dalja e TAP në Itali ofron mundësi të shumta për transportin e mëtejshëm të gazit kaspik drejt disa prej tregjeve më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Austria.

TAP do të promovojë zhvillimin ekonomik dhe punësimin përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Ai do të jetë një investim i madh i drejtpërdrejtë i huaj dhe si projekt nuk varet nga grantet apo subvencionet. Ndërkohë që shitjet e para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi priten të ndodhin në fund të vitit 2018, transporti i parë drejt Evropës pritet të ndodhë afërsisht në vitin 2020.

Aksionarët e TAP-it janë BP (20%), SOCAR (20%), Statoil (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Pyetje nga Media: media@tap-ag.com

Më shumë rreth TAP: www.tap-ag.com | www.twitter.com/tap_pipeline