TAP Lidh Kontratat e Ndërtimit për Seksionet Tokësore të Gazsjellësit në Shqipëri dhe Greqi Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP Lidh Kontratat e Ndërtimit për Seksionet Tokësore të Gazsjellësit në Shqipëri dhe Greqi

04 mars 2016

 

Baar, Zvicër. Trans Adriatic Pipeline AG (TAP) ka lidhur kontratat e inxhinierisë, prokurimit dhe ndërtimit (EPC) për tubacionin në pjesën tokësore me gjatësi prej rreth 760 km dhe diametër prej 48 inç (1,2 m) për seksionet e Greqisë dhe Shqipërisë. Ndërtimi i TAP-it është i ndarë në pesë lote (ose seksione), tre prej tyre në Greqi dhe dy në Shqipëri.

  • Kompania e përbashkët e përbërë nga Bonatti S.p.A (Itali) dhe J&P Avax S.A (Greqi) ka fituar kontratën EPC për dy lote në Greqinë veriore. Këto seksione mbulojnë rreth 360 km tubacion që shtrihen midis Kavalës dhe Ieropigit (kufiri me Shqipërinë).
  • SPIECAPAG (Francë) ka fituar kontratën EPC për një lot prej 185 km në Greqi, midis Kipoit dhe Kavalës, si dhe dy lote në Shqipëri (215 km gjithsej), që shtrihen nga Bilishti në Topojë. SPIECAPAG do të menaxhojë gjithashtu kalimin e lumit nga tubacioni në kufirin Turko-Grek ku TAP-i do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP).

Mobilizimi i pjesshëm i kontraktorëve EPC do të nisë menjëherë dhe do të vijojë më tej në tremujorin e dytë të vitit 2016, në përputhje me afatet kohore të gazsjellësit për fillimin e veprimtarive ndërtimore në mesin e vitit 2016. Kontraktorët EPC të TAP-it janë përgjegjës për sigurimin e nën kontraktorëve të mëtejshëm për zbatimin e pjesëve specifike të detyrimeve kontraktuale.

Ian Bradshaw, Drejtor Menaxhues i TAP-it, tha: “Kontratat për ndërtimin e seksionit tokësor të gazsjellësit tonë, janë kontratat më të mëdha që do të lidhen nga TAP-i. Dëshiroj të përgëzoj Bonatti S.p.A, J&P Avax S.A dhe SPIECAPAG për ofertat e tyre që nuk janë vetëm konkurruese dhe të plota nga pikëpamja teknike, por janë gjithashtu në përputhje me standardet më të larta dhe praktikën më të mirë të industrisë.”

Bonatti është një ofrues shërbimesh të integruara në fushën e veprimtarisë të naftës dhe gazit me 70 vite përvojë dhe është përballur me projekte të vështira në kushtet më kritike mjedisore dhe logjistike në vendndodhje të thella, duke kombinuar metoda dhe teknologji të avancuara gjatë punës së tyre. Bonatti renditet ndër kontraktorët më të mëdhenj ndërkombëtar të gazsjellësve dhe ka një historik të gjatë shtrirjeje mijëra kilometra tubacion në të gjithë botën.

J&P-AVAX Group është një nga grupet më të mëdha të ndërtimit në Greqi, me veprimtari të gjerë edhe jashtë vendit. Grupi është pjesë e tregut kryesor të bursës Athens Exchange që prej vitit 1994, dhe ka përvojë të gjerë në ndërtimin e tubacioneve të naftës dhe gazit natyror, si dhe stacioneve LNG dhe termocentraleve.

SPIECAPAG ka një historik të pashoq suksesi prej rreth një shekulli. Gjatë këtyre viteve kompania ka dorëzuar nw siguri të plotë tubacionet me problematikat më të shumta në të gjithë botën me një gjatësi të përgjithshme prej më shumë se 50.000 kilometra dhe është kthyer kështu në një nga kontraktorët ndërkombëtarë kryesorë për tubacione dhe ambientet e tyre. Sot SPIECAPAG është një degë në pronësi të plotë të ENTREPOSE Group, një kompani e VINCI French Group.

Në vitin 2015 TAP-i ka lidhur disa kontrata: ndërtimi dhe përmirësimi i rrugëve dhe urave dytësore ndihmëse në Shqipëri (prill 2015), valvulat sferike me diametër të madh dhe aktivizuesit (korrik 2015), dhe turbo kompresorët  (shtator 2015), fashaturat lidhëse, bërrylave izolues dhe pritësve të sondave pastruese (tetor 2015), 270 km tuba linje dhe bërryla për pjesën tokësore (tetor 2015) dhe 495 km tuba linje për pjesën tokësore (nëntor 2015), si dhe ndërtimin e pjesës tokësore të tubacionit dhe terminalin pritës të gazsjellësit në Itali (dhjetor 2015).

Për më shumë informacion mbi procesin e prokurimit të TAP-it dhe kontratat që planifikon të lidhë, ju lutemi vizitoni: http://www.tap-ag.al/mundesite-e-projektit/per-kompanite

 

FUND

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe Detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe të tjera. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria.

TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë rrugës së tubacionit; ai do të jetë një burim i madh i investimeve të huaja direkte dhe kjo nuk varet nga grante apo subvencione. Pas shitjeve të para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, të synuara për fund-vitin 2018, prurjet e para në Evropë do të fillojnë përafërsisht me fillim-vitin 2020.

Struktura aksionare e TAP-it përbëhen nga BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Pyetjet për Median: media@tap-ag.al

Më shumë rreth TAP: www.tap-ag.com | www.twitter.com/tap_pipeline