TAP Prezanton Programin e Praktikave Profesionale në Shqipëri Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP Prezanton Programin e Praktikave Profesionale në Shqipëri

27 tetor 2016

Tiranë, Shqipëri. Trans Adriatic Pipeline (TAP) AG ka prezantuar programin e praktikave profesionale për studentët e sapo diplomuar dhe të interesuar për të përfituar përvojë nga një prej projekteve më të rëndësishme energjetike në Evropë. Praktikat profesionale katër mujore do t’i mundësojë të përzgjedhurve njohjen me departamentet kryesore të projektit dhe të punojnë përkrah ekspertë ndërkombëtarë, ndërkohë që fillojnë e krijojnë një rrjet kontaktesh që do t’i ndihmojë në karrierën e tyre. 

 

Duke nisur që nga nëntori i këtij viti, TAP-i do të ofrojë shtatë pozicione për praktika profesionale ku mund të aplikojnë studentë që kanë përfunduar ciklin bachelor ose që janë duke ndjekur studimet master. Praktikat profesionale ofrohen në fushat e Financës, Inxhinierisë Civile, Sistemet e Menaxhimit Mjedisor dhe Social (ESMS), Përgjegjësia Sociale e Korporatës (CSR), dhe Menaxhimin e Palëve të Interesit.

Qëllimi i këtij programi është identifikimi, afrimi dhe zhvillimi i aplikuesve më të kualifikuar për të formuar një karrierë të suksesshme. Praktikantët e përzgjedhur do të përfshihen në një gamë të gjerë projektesh që janë hartuar dhe përshtatur veçanërisht për interesat dhe aftësitë e tyre. Çdo praktikant do të udhëzohet nga një udhëheqës i përkushtuar dhe me përvojë gjatë periudhës së praktikës profesionale. TAP-i ka planifikuar të shpallë dy thirrje për aplikime për praktikë profesionale çdo vit.