Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP Përfundon Fazën e Parë e Përmirësimit të Rrugëve dhe Urave Ndihmëse në Shqipëri

12 janar 2017

Tiranë, Shqipëri. Në fund të vitit 2016 Trans Adriatic Pipeline (TAP) AG përfundoi fazën e parë të përmirësimit të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, përmirësimin e rreth 58 km rrugë ndihmëse, ndërtimin e dy urave të reja dhe përmirësimin e strukturës së 40 urave të tjera. Punimet zgjatën një vit e gjysmë dhe u kryen nga një sipërmarrje e përbashkët (joint venture) e përbërë nga kompania shqiptare Gener 2 Sh.p.k dhe Sicilsaldo S.p.A.

 

Infrastruktura e përmirësuar rrugore do të lehtësojë transportimin e tubave dhe pajisjeve të nevojshme për veprimtaritë ndërtimore të gazsjellësit. Ajo gjithashtu do të ndihmojë në zhvillimin e komuniteteve vendore dhe bizneseve përreth në qarqet e Korçës, Beratit dhe Fierit. Rreth 200’000 persona do të përfitojnë nga kjo infrastrukturë rrugore e përmirësuar.

Punimet u projektuan që të kishin ndikim minimal në mjedis dhe në komunitetet përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Më shumë se 600 punëtorë u përfshinë në këtë proces dhe më shumë se 99% e tyre ishin shqiptarë.

Karl Roberts, Menaxheri i Projektit TAP për Shqipërinë tha: “Dëshiroj të përgëzoj të gjithë ata që kanë kontribuar për arritjen e këtij suksesi. Me gjithë relievin e ndërlikuar dhe problematik, me pika që arrin në lartësi 1.800 metra, punimet u mbyllën në kohë, sipas buxhetit, dhe mbi të gjitha sipas standardeve më të larta të sigurisë. Për më tepër, jemi krenar të theksojmë disa arritje në Shqipëri. Është hera e parë që urat janë përforcuar pa ndërprerë qarkullimin rrugor, është hera e parë që guroret dhe vendet e derdhjes së materialeve natyrore janë rehabilituar sipas standardeve të rrepta mjedisore dhe është hera e parë që është treguar kaq kujdes për ruajtjen, monitorimin dhe shpëtimin e artefakteve të trashëgimisë kulturore,” shtoi Roberts. Faza e dytë e përmirësimit të rrugëve, përbërë nga rreth 120 km rrugë, do të zbatohet nga kontraktori i TAP-it për Inxhinierinë, Prokurimin dhe Ndërtimin Spiecapag.

FUND

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe Detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe të tjera. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria.

TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë gjurmës së tubacionit; ai do të jetë një burim i madh i investimeve të huaja direkte dhe ai nuk varet nga grante apo subvencione. Pas shitjeve të para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, të synuara për fund-vitin 2018, prurjet e para në Evropë do të fillojnë përafërsisht në fillim të vitit 2020.

Struktura aksionare e TAP-it përbëhet nga BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Pyetje nga media: media@tap-ag.com

Më shumë rreth TAP: www.tap-ag.com | www.twitter.com/tap_pipeline