Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

Ambasadorët Vizitojnë Kantierin e TAP-it në Shqipëri

07 mars 2017

 

Tiranë, Shqipëri. Pesë muaj pas fillimit të ndërtimit të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) në Shqipëri, njëmbëdhjetë Ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë të vendosur në Shqipëri vizituan më 7 mars punimet që po kryhen në zonën e Urës Vajgurore, në Qarkun e Beratit. Përfaqësues të TAP-it, përfshirë Drejtoreshën për Tregtinë dhe Marrëdhëniet me Jashtë, Ulrike Andres, dhe Menaxherin e TAP për Shqipërinë, Shkëlqim Bozgo, paraqitën një panoramë të ecurisë së deritanishme dhe punimeve që pritet në zhvillohen gjatë vitit 2017. 

 

Ulrike Andres, Drejtoreshë për Tregtinë dhe Marrëdhëniet me Jashtë në TAP, tha: “TAP-i është një projekt tejet strategjik për tregun evropian të gazit. Kur gazi natyror të fillojë të transportohet nga fusha e Shah Deniz II përmes TAP-it në vitin 2020, disa tregje do të përfitojnë nga rritja e mundësive dhe diversifikimi i furnizimit me gaz.

Ne i jemi mirënjohës autoriteteve shqiptare për bashkëpunimin e tyre të ngushtë, që ka bërë të mundur ecurinë e mirë të TAP-it. Deri tani, në Shqipëri kemi pastruar dhe sistemuar më shumë se 72 km nga korridori i punimeve, kemi rreshtuar më shumë se 62 km tuba, kemi salduar 52 km të tjera dhe kemi rimbushur rreth 40 km kanale,” shtoi ajo.

Ambasadorët u njohën edhe më shumë me përfitimet e Shqipërisë nga prania dhe aktiviteti i TAP-it. Deri tani janë punësuar drejtpërsëdrejti në ndërtimin e TAP-it më shumë se 1’700 punonjës, nga të cilët rreth 84% shqiptarë. Për më tepër, infrastruktura e shumë rrugëve dhe urave është përmirësuar, duke lidhur kështu fshatra të thella me zonat urbane. Gjithashtu, kanë nisur të zbatohen tashmë një sërë investimesh në projekte sociale dhe mjedisore përgjatë gjurmës së gazsjellësit si rindërtimi i disa shkollave, projekte që nxisin dhe ndihmojnë rritjen e turizmit, etj. Së fundi, por jo nga rëndësia, një sërë shoqërish vendore janë nënkontraktuar për të ofruar shërbimet dhe ekspertizën e tyre për ndërtimin e segmentit tokësor të tubacionit në Shqipëri.

Në vizitën e sotme morën pjesë Ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të tetë vendeve:

  • Ambasadori i Republikës së Turqisë, Hidayet Bayraktar
  • Ambasadori i Republikës së Italisë, Alberto Cutillo
  • Ambasadori i Zvicrës, Christoph Graf
  • Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu
  • Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Duncan Norman
  • Zëvendës Kryetarja e Misionit të Republikës Federale të Gjermanisë, Anke Holstein
  • Zëvendës Kryetarja e Misionit të Republikës së Francës, Isabelle Le Guellec
  • Zëvendës Kryetari i Misionit të Mbretërisë së Bashkuar, Sean Melbourne
  • Këshilltari i Ministrit të Republikës së Greqisë, Kostantinos Piperigos