Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

Ballkonet Panoramike për të Shijuar në Siguri Pamjen e Kanionit të Osumit nga Sipër

06 qershor 2017

Në 1 qershor, u organizuar në Çorovodë ceremonia e përurimit të dy Strukturave Panoramike mbi Kanionin e Osumit, një investim i përbashkët i Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP). Në ceremoni morën pjesë Kryebashkiaku i Skraparit, Nesim Spahiu, Bashkë-Drejtori i AADF, Martin Mata, Drejtori i TAP për Shqipërinë, Shkëlqim Bozgo, si edhe organizata, biznese dhe banorë të zonës.

 

Ndërtimi i këtyre dy ballkoneve panoramike është një investim i AADF dhe TAP prej rreth 132.000 eurosh, duke përfshirë ndërtimin dhe supervizimin. Këto dy struktura panoramike do t’i ofrojnë turistëve që do të vizitojnë zonën e Skraparit mundësinë që të shijojnë pamjen nga lart të kanionit në mënyrë të sigurt. Pritet që Strukturat Panoramike të “Lakores së Flamurit” dhe “Vrimës së Nuses” të vizitohen prej më shumë se 15.000 vizitorë çdo vit.

Punimet nisën në tetor të vitit 2016 dhe për ndërtimin e të dy strukturave panoramike janë punësuar rreth 100 persona.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së përurimit, Kryetari i Bashkisë Skrapar, Nesim Spahiu, falenderoi AADF dhe TAP për zhvillimin dhe promovimin e turizmit në zonë. “Zona e Skraparit ka shumë mundësi për të zhvilluar turizmin dhe jam i lumtur që këtë mundësi pak nga pak po kthejmë në realitet. I jam mirënjohës TAP dhe AADF për vëmendjen që po i kushtojnë Çorovodës dhe ndihmës që po i japin në përmirësimin e infrastrukturës për zhvillimin e turizmit këtu.”

Martin Mata, Bashkë-Drejtor i AADF, tha: “Kjo është një zonë që ka prodhuar histori, kjo është një zonë që ka një natyrë që të ndal frymën, ndaj dhe një ndërhyrje e kësaj natyre bën diferencën. Investimi i AADF dhe TAP nuk është i vogël, është rreth 132’000 euro. Do të doja të falenderoja të gjithë ata që bënë të mundur ndërtimin e këtyre dy strukturave panoramikë që e bëjnë kanionin e Osumit më të aksesueshëm për vizitorët”

Drejtori për Vendin i TAP për Shqipërinë tha: “Jemi shumë të lumtur që turistët do të kenë mundësi të kenë një pamje 180 gradë të një prej kanioneve më të bukura të Evropës, në mënyrën më të sigurt të mundur. Tashmë turistëve nuk do t’u duhet të afrohen më në cep të shkëmbit për të parë kanionin. Siguria është pjesë thelbësore e projektit tonë dhe strukturat panoramike të ndërtuara në partneritet me Fondacionin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim janë në përputhje të plotë me promovimin e standardeve të sigurisë teknike në Shqipëri.”

Me ndërtimin e strukturave panoramike të “Lakores së Flamurit” dhe Vrimës së Nuses” pritet që qyteti i Çorovodës dhe zona e Skraparit  të tërheqin edhe më shumë turistë gjatë gjithë vitit, duke ndihmuar më tej komunitetet vendore. 

PRG*BR Architecture projektoi të dy strukturat panoramike, ndërsa Salillari sh.p.k. ishte shoqëria që mori përsipër ndërtimin, që të dyja këto kompani shqiptare.