Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP Shënon Instalimin e Turbo-Kompresorëve në Shqipëri

11 qershor 2018

Tiranë, Shqipëri. Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), më 8 qershor 2018, shënoi instalimin me sukses të turbo-kompresorëve në stacionin e kompresorit në Fier. Turbo-kompresorët janë “zemra” e stacionit të kompresorit dhe do të luajnë një rol kyç për transportimin e gazit përmes tubacionit.  Deri më tani kanë përfunduar mbi 30% të punimeve të përgjithshme për ndërtimin e stacionit të kompresorit në Fier dhe janë punësuar më shumë se 210 persona, 70% e të cilëve janë punëtorë lokalë.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, Drejtori Menaxhues i TAP-it Luca Schieppati, Presidenti i TAP-it Walter Peeraer, Drejtori i Projektit të TAP, John Haynes dhe Michele Elia, Menaxher i Përkohshëm i TAP-it për Shqipërinë Në aktivitet morën pjesë gjithashtu disa kryetarë bashkish, përfaqësues të autoriteteve vendore dhe Misioneve Diplomatike në Shqipëri, kontraktorë dhe partnerë të TAP, etj.

Kryeministri Rama theksoi bashkëpunimin e fortë ndërmjet TAP-it dhe Shqipërisë. “Dhënia e shpejtë e lejeve nga autoritetet shqiptare do të inkurajojë investime të huaja shtesë”, vërejti Z. Rama. Sipas Kreut të Qeverisë Shqiptare, “TAP-i është një histori suksesi, dhe si i tillë, shembulli i tij u hap rrugën investimeve të tjera në projekte energjetike, përfshi  IAP. Në fakt, shembulli i TAP, që tani ka inkurajuar kompani të tjera ndërkombëtare që të shfaqin interes dhe të investojnë në sektorin e naftës dhe gazit në Shqipëri”. Duke e quajtur TAP si një “projekt reference për investitorët e tjerë” Z. Rama sqaroi se pavarësisht kompleksitetit në shumë raste të procedurave “TAP ka qenë në përputhje të plotë me legjislacionin dhe procedurat shqiptare”

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Gjiknuri nënvizoi rëndësinë e TAP-it për ekonominë dhe rëndësinë strategjike që projekti ka për të ardhmen e vendit. Sipas Ministrit “TAP-i do të ketë një ndikim pozitiv në gazifikimin e vendit dhe në sektorin energjetik në përgjithësi.” Ministri deklaroi se “TAP-i është projekti i parë energjetik i kësaj shkalle që zbatohet në Shqipëri dhe progresi i tij është mbresëlënës.” Duke folur për ndikimin pozitiv që TAP ka për vendin, Ministri Gjiknuri vlerësoi edhe “ transferimin e dukshëm të njohurive” që si forca punëtore Shqiptare edhe kompanitë lokale kanë marrë nëpërmjet bashkëpunimit me Projektin.

Drejtori Menaxhues i TAP-it Luca Schieppati tha: “Sot shënojmë një tjetër etapë në rrugëtimin energjetik të Shqipërisë. Ne besojmë se TAP-i do të bëhet një element kyç i këtij rrugëtimi të ardhshëm duke dhënë kontribut për sigurinë, diversifikimin dhe dekarbonizimin e energjisë. Duke përfituar nga mbështetja e vazhdueshme e Qeverisë Shqiptare, autoriteteve dhe komuniteteve vendore, TAP-i do të vazhdojë ndërtimin, duke realizuar një gazsjellës modern, të sigurt dhe të qëndrueshëm, që do të ndihmojë transportin e gazit në vend dhe më tej.”

Drejtori i Projektit për TAP-in John Haynes shtoi: “Jemi një hap më pranë përfundimit të projektit dhe sjelljes së gazit në Evropë. Stacioni i Kompresorit të TAP-it në Fier është instalimi sipërfaqësor më i rëndësishëm. Në Fier do të jetë një nga pikat dalëse të TAP-it të planifikuara në Shqipëri. Për më tepër, kjo do të jetë pika e nisjes edhe për Gazsjellësin Jonian Adriatik (IAP), që do të rrisë më tej rëndësinë strategjike të Fierit dhe Shqipërisë në rajon e më gjerë.”

Menaxheri i Përkohshëm i TAP-it për Shqipërinë, Michele Elia, tha: “Dua të falënderoj qeverisjen qendrore dhe lokale për mbështetjen e madhe ndaj TAP, dhe të gjithë punonjësit e TAP-it dhe kontraktorëve për punën e madhe në ndërtimin e gazsjellësit sipas programit dhe duke zbatuar standardet më të larta të sigurisë.”

 

Pjesëmarrësit në aktivitet patën mundësinë të shohin nga afër turbo-kompresorët dhe të mësojnë rreth disa prej sfidave të ndërtimit të stacionit të kompresorit në Fier. 

Sipërfaqja e përgjithshme e stacionit të kompresorit në Fier është 162,970 m2, që është e barabartë me pothuajse 25 fusha futbolli. Punimet e ndërtimit priten të përfundojnë në Mars të vitit 2019 dhe stacioni i kompresorit pritet të jetë gati për funksionim në tremujorin e fundit të vitit 2019. 

 

Fakte dhe Shifra për Stacionin e Kompresorit

 

Kapaciteti në përfundim

  • Për fazën fillestare (2020), kapaciteti i sistemit mund të furnizojë rreth 10bcm/v (miliard metra kub në vit) gaz natyror, që është e barabartë me konsumin energjetik të rreth shtatë milion familjeve në Evropë. 
  • Kapaciteti i gazsjellësit mund të dyfishohet në 20 bcm/v (zgjerimi në të ardhmen), duke përdorur të njëjtën infrastrukturë gazsjellëse, dhe me shtimin e impianteve të kompresimit.

Teknologjia

  • Elementët më të ndërlikuara, nga ana teknike, e Stacionit të Kompresorit janë tre kompresorët dhe turbinat e gazit ("zemra" e stacionit) që janë prodhuar nga SIEMENS.
  • Kompresorët janë centrifugalë, të aftë ta ngjeshin gazin deri në 145 bar, nga një presion hyrës prej 59 bar.
  • Çdo kompresor vihet në punë nga një turbinë me gaz 15 MË e cila përdor si karburant gazin natyror që vjen nga tubacioni.

Materialet e përdorura

  • Punime mbi tokë - 320,000 m3 (rreth 17,800 kamionë)
  • Kolona guri - 4,687 kolona (57,000 m3)
  • Beton - 11,300 m3 (afërsisht 1,300 kamionë)
  • Tubacione - 2,115,000 kg
  • Kabllo elektrike - 140 km (nga Tirana në Vlorë)
  • Kabllo instrumentesh - 190 km (nga Tirana në Shkodër, vajtje-ardhje)

Punësimi në Stacionin e Kompresorit (ndërtimi dhe menaxhimi i kantierit)

  • Aktualisht janë rreth 210 punëtorë
  • Pritet të arrijë në më shumë se 250 punëtorë nga Korriku 2018 deri në vitin 2019.
  • 70% e fuqisë punëtore janë vendas.
  • Për më tepër, aktivitetet jashtë kantierit por brenda Shqipërisë, si për shembull prodhimi i tubave dhe pajisjeve të çelikut, krijoi më shumë se 100 vende pune në kompani shqiptare në Fier, Tiranë, Elbasan dhe Korçë.
  • Nënkontraktorë shqiptarë: Vagalat, Gjoka, Heko, Elmazaj, APM, Albaelettrica dhe Renco.

 

FUND

 

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek, në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe të tjera vende. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria.

TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë rrugës së tubacionit; ai do të jetë një burim i madh i investimeve të huaja direkte dhe kjo nuk varet nga grante apo subvencione. Pas shitjeve të para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, të synuara për fund-vitin 2018, prurjet e para në Evropë do të fillojnë përafërsisht me fillim-vitin 2020.

Aksionarët e TAP-it janë BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

 

Kontakt për Median: agim.fjolla@tap-ag.com

Më shumë rreth TAP: Twitter | Facebook | Instagram | YouTube