Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

Punimet e TAP arrijnë në lartësinë maksimale, 2100m mbi nivelin e detit

21 gusht 2018

Korçë, Shqipëri. Punimet për ndërtimin e Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) kanë arritur në pikën më të lartë në të gjithë gazsjellësit, rreth 2100 metra mbi nivelin e detit, në malin e Ostrovicës.

 

Qafa e Martës është pika ku segmenti i gazsjellësit të TAP që vjen nga Skrapari bashkohet me segmentin që vjen nga Korca. Punimet për bashkimin e këtyre dy segmenteve është ndër sfidat më të mëdha të ndërtimit të gazsjellësit, i cili kalon përmes Greqisë, Shqipërisë, detit Adriatik dhe Italisë. Në mbi 2100 metra mbi nivelin e detit, në kushtet e sigurisë maksimale në punë, po vijon hapja e gjurmës së gazsjellësit, afrimi i tubave dhe saldimi sipërfaqësor i tyre në segmente. Për ndërtimin e segmentit më të lartë gazsjellësit po ngrihet edhe një teleferik i cili do të ndihmojë në transportimin e tubave dhe materialeve.

James Cooper, zëvendës Menaxher i Kantierit të Ndërtimit të TAP për Korçën tregon: “Segmenti ku po punohet aktualisht është një sfidë e vërtetë inxhinierike për ndërtimin e një tubacioni me diametër 1.2 m në një terren tejet të thyer malor dhe në lartësi rreth 2100 metra. Këtë sfidë ne e dinim që më parë dhe kemi marrë të gjitha masat, pavarësisht vështirësive, që projekti të vijojë ndërtimin sipas planit. Ne po ja dalin sepse jemi shumë kërkues përsa i përket sigurisë në punë, kemi investuar në trajnimin e punëtorë dhe kemi vënë në zbatim të gjitha mjetet e teknologjisë së fundit që e bëjnë punën më të thjeshte dhe më të sigurtë.”

Gazsjellësi TAP është ndër gazsjellësit më të lartë në Evropë dhe pikën më të lartë e arrin pikërisht në Shqipëri, në qafën e Martës e cila lidh malësinë e Korçës me atë të Skraparit.

Pas përfundimit të ndërtimit të gazsjellësit, ashtu siç është vepruar edhe në segmentet e tjera, do të vijojnë punimet për kthimin e tokës në gjendjen e mëparshme. Aktualisht nga 215 km të gjatësisë së pjesës tokësore të gazsjellësit në Shqipëri, mbi 134 km në korridorin e kalimit toka është kthyer në gjendjen e mëparshme.

FUND

 

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek, në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe të tjera vende. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria.

TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë rrugës së tubacionit; ai do të jetë një burim i madh i investimeve të huaja direkte dhe kjo nuk varet nga grante apo subvencione. Pas shitjeve të para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, të synuara për fund-vitin 2018, prurjet e para në Evropë do të fillojnë përafërsisht me fillim-vitin 2020.
Aksionarët e TAP-it janë BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Kontakt për Median: agim.fjolla@tap-ag.com

Më shumë rreth TAP: Twitter | Facebook | Instagram | YouTube