Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP Ndërton Nga e Para Shkollën “Llukë Mita” në Urën Vajgurore

19 dhjetor 2018

Ura-Vajgurore, Shqipëri. Në dhjetor 2018 u organizua ceremonia e përurimit të shkollës “Llukë Mita”, në Konizbaltë, e cila u ndërtua nga e para nga ana e Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP). Ky investim, me vlerë mbi 630’000 euro, është realizuar në kuadër të Investimeve Sociale dhe Mjedisore të TAP dhe me përkujdesjen e Bashkisë së Urës Vajgurore.

 

Godina e ndërtuar nga e para përveçse ofron kushte optimale do të strehojë nën të njëjtën çati edhe fëmijët e kopshtit të fshatit Konizbaltë. Shkolla “Llukë Mita” ka rreth 70 nxënës ndërsa kopshti frekuentohet nga mbi 30 fëmijë.

Në ceremonitë e përurimit të shkollës së re ishin të pranishëm Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi; Kryetarja e Bashkisë së Urës Vajgurore, Juliana Memaj; Menaxheri i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri; stafi pedagogjik dhe nxënësit e shkollës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Menaxheri i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri, tha: “Jemi të lumtur që po përurojmë një tjetër shkollës. Në Urën Vajgurore, përveç shkollës “Llukë Mita”, kemi ndërtuar nga e para kopshtin e fshatit Pashalli dhe kemi rikonstruktuar shkollën “Tre Dëshmorët” në fshatin Pobrat. Dua të falënderoj edhe Bashkinë e Urës Vajgurore të cilën e kemi patur një partner shumë të vlefshëm.”

Ndërsa Kryetarja e Bashkisë së Urës Vajgurore, Juliana Memaj, përshëndeti investimin e TAP këtë komunitet dhe në veçanti për fëmijët dhe nxënësit. Ajo shtoi: “Falënderoj TAP për realizimin e këtij investimi. Në Bashkinë e Urës Vajgurore TAP ka investuar në dy shkolla. Edukimi është shtylla kryesore e të ardhmes dhe ne do të vijojmë që të mbështesim brezat e ardhshëm.”  

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në fjalën e tij tha: “Ajo që ka bërë TAP është një përpjekje për t’u lavdëruar pasi po zhvillojnë biznesin dhe investimin tyre, por ama menduan edhe për komunitetin. Bënë kopshte, çerdhe, shkolla, bënë rrugë por mbollën edhe pemë. Në këtë kuadër ne e kemi shumë të nevojshme që këto zona, 100% rurale dhe kanë problem me mjedisin, të mund të zhvillohen.”

Godina e re, e organizuar në dy kate, ka hyrje të veçanta për shkollën dhe kopshtin. Të dy këto ambiente janë mobiluar dhe pajisur me mjetet e nevojshme. Godina e re ka një bibliotekë, dy laboratorë, një palestër, është pajisur me sistem qendror ngrohje dhe është e izoluar për të ruajtur temperaturën. Duke zbatuar standardet e TAP të sigurisë, edhe kjo godinë është pajisur me sistem për fikjen e zjarrit dhe shkallë emergjence. Ndërsa jashtë në oborr është ndërtuar një lulishte dhe një fushë sportive për lojëra me dorë.

Abkons, kontraktori i TAP për projektet sociale, menaxhoi punimet ndërsa Beis shpk dhe Pienvis shpk i realizuan punimet ku u punësuan afërsisht 120 persona.

TAP është një nga shoqëritë private që ka investuar më shumë në përmirësimin e infrastrukturës së institucioneve të edukimit dhe arsimimit në Shqipëri në bashkëpunim me qeverisjen qendrore dhe vendore. Deri më tani, TAP ka investuar rreth 4 milion euro duke rindërtuar nga e para apo rikonstruktuar tetë shkolla dhe kopshte, si pjesë e Investime Sociale dhe Mjedisore, programi për Zhvillimin e Edukimit. Ndërkohë qe vlera e plotë e Investimeve Sociale dhe Mjedisore të TAP për Shqipërinë është 14 milion euro.

FUND

 

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek, në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane.

TAP-i nxit zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë gjurmës së tubacionit; ai është një burim i madh i investimeve të huaja direkte. Tashmë që sasia e parë e gazit ka nisur të transportohet drejt Gjeorgjisë dhe Turqisë, sasia e parë e gazit në Evropë do të arrijë në vitin 2020.

Aksionarët e TAP-it janë BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Kontakt për Median: agim.fjolla@tap-ag.com

Më shumë rreth TAP: Twitter | Facebook | Instagram | YouTube