Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP Shtrin Tubat e Parë në Ujërat Shqiptare

05 prill 2019

Fier, Shqipëri. Më 30 mars, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) realizoi me sukses tërheqjen në breg të tubacionit të parë nënujor që shtrihet në Shqipëri. Koka tërheqëse e tubacionit arriti në pikën kilometrike 0, ku bashkohet seksioni tokësor me atë detar, në orën 12:50.

 

Saipem, kontraktori i TAP përgjegjës për inxhinierinë, prokurimin, ndërtimin dhe instalimin e seksionit detar, po përdor për këtë proces anijen Castoro 10. Tubat u salduan në bordin e anijes, e cila ndodhej 1.4 km nga bregu i detit. Saldimet më pas u testuan dhe tubacioni u ul në shtratin e detit. 1.8 kilometrat e para të tubacionit të salduar u tërhoqën drejt bregut, në pikën e daljes në det në afërsi të Fierit.

Anija Castoro 10, me gjatësi 139 metra dhe gjerësi 31 metra, po vazhdon në Shqipëri punimet për shtrirjen e tubacionin në ujërat e cekët dhe instalimin e fibrës optike. Gjithashtu po punohet për mbulimin e tubacionit në det dhe në breg.

Punimet për seksionin detar të TAP në Shqipëri filluan në Tetor 2018.

Seksioni detar i TAP, që bashkon bregun shqiptar me atë italian, është i gjatë 105 km.

Tubat do të shtrihen në shtratin e detit Adriatik: 37 km në ujërat territoriale të Shqipërisë; 25 km në ujërat territoriale të Italisë; dhe 43 km në ujërat ndërkombëtar.

Pika më e thellë e gazsjellësit do të jetë më shumë se 810 metra nën nivelin e detit.

Për ndërtimin e seksionit detar do të përdoren rreth 9’000 tuba, me diametër 36 inç (0.91 m), të cilët në total peshojnë afërsisht 100,000 tonë.

 

FUND

 

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

 

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek, në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane.

TAP-i nxit zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë rrugës së tubacionit; ai është një burim i madh i investimeve të huaja direkte. Tashmë që sasia e parë e gazit po transportohet drejt Gjeorgjisë dhe Turqisë, sasia e parë e gazit në Evropë do të arrijë në vitin 2020.

Aksionarët e TAP-it janë BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

 

Kontakt për Median: agim.fjolla@tap-ag.com

Më shumë rreth TAP: Twitter | Facebook | Instagram | YouTube