Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

Një Markatë e Re dhe Moderne për Korçën

15 prill 2019

Korçë, Shqipëri. Më 14 prill 2019, u organizua ceremonia e përurimit të “Markatës së Shijes” së Korçës, një investim i përbashkët i Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), Bashkisë së Korçës dhe IADSA (Marrëveshja Italo-Shqiptare për Shkëmbimin e Borxhit).

 

Markata e Shijes i ofron banorëve të Korçës një hapësirë me kushte bashkëkohore për blerjen e frutave dhe perimeve të freskëta të zonës, produkteve të bulmetit, mishit dhe peshkut.

Në ceremoninë e përurimit të markatës ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, Menaxheri i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri, ish- ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, përfaqësues të Rajonit të Pulias, Institutit Adriapol dhe banorë të Korçës.

Në fjalën e tij, Menaxheri i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri, tha: “Nëpërmjet një sërë investimesh sociale dhe mjedisore TAP i ka dhënë një shtysë pozitive ekonomive të bashkive nga ku kalon gazsjellësi. Pas investimit për muzeun Gjon Mili sot hap dyert një projekt tjetër i rëndësishëm që i ofron Korçës standarde optimale për tregtimin e produkteve lokale. Markata është një projekt që do të nxisë zhvillimin e ekonomisë së zonës.”

Kryetari i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo, në fjalën e tij theksoi ndikimin e markatës në ekonominë lokale por edhe rëndësinë e qendërzimit të të gjitha prodhimeve rajonale brenda një njësie të vetme, e cila garanton standardet më të larta për konsumatorin: “Ky projekt i Bashkisë së Korçës ka qenë i domosdoshëm për disa arsye. Përveç punësimit dhe fuqizimit të ekonomisë lokale, “Markata e Shijes” i ofron qytetit një treg modern me kushte optimale higjiene. Bashkia po investon shumë në rritjen e sigurisë ushqimore dhe kjo markatë është pjesë e këtij vizioni.”

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo u shpreh: “Jemi të kënaqur nga realizimi i projekteve të tilla si ky i sotmi pasi krijon mundësi për gjallërimin e sektorëve të caktuar të ekonomisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Markata duket që është e gjallë dhe ka një ndikim pozitiv në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë.”

“Markata e Shijes” në Korçës është një investim prej afërsisht 145 milion lekësh. Bashkia e Korçës dhe IADSA së bashku kanë financuar 80 milion lekë ndërsa TAP ka financuar 65 milion lekë. Partnerë në realizimin e këtij investimi janë Rajoni i Pulias dhe Instituti Adriapol.

Sipërfaqja e brendshme e markatës është mbi 2’000 m2 dhe në të do të ketë rreth 118 vende-shitje. Në kënde të caktuara të markatës do të gatuhen ushqime tradicionale me produkte të freskëta të marra nga tregtarët e markatës.

Pjesa e punimeve që u realizuan nga TAP u menaxhuan nga Abkons, kontraktori i TAP për investimet sociale dhe mjedisore, ndërsa Xhengo shpk i realizoi këto punime. Për realizimin e punimeve të TAP u punësuan afërsisht 50 persona.

TAP mbetet i përkushtuar për të përmirësuar cilësinë e jetesës së komuniteteve përgjatë gjurmës së gazsjellësit në Shqipëri në bashkëpunim me qeverisjen qendrore dhe vendore.

 

FUND

 

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek, në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane.

TAP-i nxit zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë gjurmës së tubacionit; ai është një burim i madh i investimeve të huaja direkte. Tashmë që sasia e parë e gazit ka nisur të transportohet drejt Gjeorgjisë dhe Turqisë, sasia e parë e gazit në Evropë do të arrijë në vitin 2020.

Aksionarët e TAP-it janë BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

 

Kontakt për Median: agim.fjolla@tap-ag.com

Më shumë rreth TAP: Twitter | Facebook | Instagram | YouTube