Skip to main content

Kthehu pas

TAP mbështet Tavolinën e Rrumbullakët për Sigurinë Rrugore në Fier

11 shkurt 2016

 

Në vazhdimësi të ndihmës në përmirësimin e kulturës së zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, sidomos në zonat ku do të kalojë gazsjellësi, TAP mbështeti edhe Tavolinën e Rrumbullakët e organizuar në qytetin e Fierit. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte këmbimi i ideve dhe qëndrimeve mbi përmirësimin e sigurisë në komunitet dhe promovimin e një sjellje të sigurtë në qarkullimin rrugor, në raste emergjencash, në shkollë etj.

 

Në këtë Tavolinë të Rrumbullakët ishin të pranishëm rreth 50 ekspertë të Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Brendshme, Institutit të Shëndetit Publik, Ministrisë të Transportit dhe Infrastrukturës, të Universitetit Publik të Tiranës, të Prefekturave dhe Bashkive të Fierit, Beratit dhe Korçës, të Drejtorive Arsimore dhe Shëndetësisë të tri qarqeve Fier, Berat dhe Korçë dhe organizata jo qeveritare.

Nga të pranishmit, projekti TAP u vlerësua edhe si një kontribut konkret në përcaktimin e standardeve që duhen zbatuar për sigurinë në punë dhe komunitet. Në këtë tavolinë të rrumbullakët u ndanë mendime se si mund të përmirësohen format e bashkëpunimit midis institucioneve përgjegjëse të sigurisë së qytetarëve dhe shtrirjen e përvojës pozitive të gazsjellësit TAP për trajtimin dhe masat e sigurisë në çdo shkollë dhe komunitet.

Menaxheri i TAP për Shqipërinë, Shkëlqim Bozgo, në këtë tavolinë të rrumbullakët, përsëriti rëndësinë që ka për projektin TAP. Ai u thellua më tej në zbatimin e standardeve më të larta të sigurisë teknike në punë por edhe përpjekjet dhe vëmëndjen që i kushtohet parandalimit të aksidenteve nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit mbi zbatimit edhe në jetën e përditshme. Në këtë tryeze u ndanë edhe eksperienca nga fushata ndërgjegjësuese që u realizua gjatë vitit 2015 në komunitetet që ndikohen nga ndërtimi i rrugëve dhe urave ndihmëse të TAP.

Siguria për TAP është një përparësi absolute dhe merr përmasa përtej vetë projektit, duke u kujdesur edhe për mjedisin dhe për komunitetet ku do të kalojë gazsjellësi. Zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor mbetet një problem i vazhdueshëm. Duke synuar përmirësimin e sjelljes së sigurtë në rrugë, TAP ka mbështetur përpjekjet e “Shoqatës Qytetare të Sigurisë Rrugore dhe Ambientit” në aktivitetet e saj edukuese dhe ndërgjegjësuese.