TAP në Shqipëri Mbështet Fushatën e Ndërgjegjësimit për Autizmin Skip to main content

Kthehu pas

TAP në Shqipëri Mbështet Fushatën e Ndërgjegjësimit për Autizmin

24 qershor 2016

 

Stafi i TAP në Tiranë u bë pjesë e maratonës “Run4Autism”, një nismë e organizuar në prill në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Autizmit. Ky aktivitet i përvitshëm synon rritjen e ndërgjegjësimit mbi autizmin dhe mbledhjen e fondeve për trajtimin e fëmijëve me autizëm në Shqipëri. Me bluze “TiRun – Rund4Autism” veshur, punonjësit e TAP vrapuan 5 km dhe 10 km përgjatë bulevardit kryesor të kryeqytetit bashkë më qindra pjesëmarrës të tjerë në maratonën e organizuar nga “Autism Speaks Albanian”.

 

Stafi ynë u njoh me historinë e Jamarbrit, djalit 5 vjecar të buzëqeshur dhe entuziast për t’u përballur me autizmin. Ai është një fëmijë me dhunti të veçanta. Jamarbri ka nisur të lexojë që në moshën tre vjeçare dhe e ka pasion leximin e librave, qofshin në shqip, anglisht apo italisht.

Pas bisedës me prindërit e vogëlushit, duke u njohur më në detaje për vështirësitë dhe nevojat që ka një fëmijë me autizëm, punonjësit e TAP vendosën që të mbledhin fonde për t’i ardhur në ndihmë. Kështu, në zyrat e TAP u vendosën dy kuti për mbledhje vullnetare fondesh për Jamarbin. Shuma e grumbulluar u dyfishua nga TAP dhe ju dorëzua prindërve të tij në muajin maj.

Studimet ndërkombëtare tregojnë që 1 në 68 fëmijë është i identifikuar me autizëm. Prilli është Muaji i Ndërgjegjësimit për Autizmin dhe përfaqëson një mundësi të përkryer për të kthyer vëmendjen te autizmi dhe te dhjetra mijëra persona që përballen me atë çdo vit.

Kjo është hera e dytë që punonjës të TAP në Tiranë dhurojnë vullnetarisht për persona në nevojë.