Skip to main content

Kthehu pas

AVIS dhe TAP organizojnë Konferencën për Sigurinë Rrugore

11 korrik 2016

 

Tiranë, Shqipëri. AVIS me mbështetjen e Trans Adriatic Pipeline (TAP) AG, organizoi konferencën e parë mbi “Standardet e Sigurisë Rrugore në Bashkimin Evropian si Pikë Referimi për Shqipërinë”. Paneli i konferencës u nderua nga prania e Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturë z. Edmond Haxhinasto, Drejtoresha e Bankës Botërore në Shqipëri znj. Tahseen Sayed, Drejtori i Projektit TAP Norman Ingram, Drejtori i Përgjithshëm i AVIS International Leasing Athanasios Theodorou, Manaxheri Rajonal i OPEL për Evropën Jug Lindore Dragan Nenadovic si edhe disa prej ekspertëve më të mirë shqiptarë dhe të huaj për çështjet e sigurisë rrugore.

 

Nxitje për organizimin e kësaj konference është situata aktuale e sigurisë në rrugët e Shqipërisë dhe përcaktimi i hapave që duhen ndjekur për ta përmirësuar sigurinë rrugore, duke ju përafruar standardeve të Bashkimit Evropian.

Ministri i Transporit dhe infrastrukturës, z. Haxhinastro u shpreh në fjalën e tij se “TAP jo vetëm ofron siguri energjetike por edhe promovon standardet më të larta të sigurisë rrugore. Ndihma e kompanive private dhe mediave është thelbësore në përmirësimin e kulturës mbi sigurinë rrugore. Banka Botërore dhe Qeveria Shqiptare janë duke investuar mbi 130 milion dollarë në sinjalistikën rrugore që do të përmirësojë standardet aktuale të rrugëve në Shqipëri.”

Ndërsa Drejtori i Projektit TAP, Norman Ingram, në fjalën e tij theksoi rëndësinë që projekti TAP i jep sigurisë gjatë udhëtimit, si pjesë thelbësore e sigurisë teknike në punë. “Siguria rrugore është me shumë rëndësi për të gjithë dhe në veçanti për ndërtimin e një gazsjellësi, për shkak të distancave të mëdha. Deri më tani ne kemi bërë më shumë se 6.7 milion kilometra udhëtime dhe gjithçka ka shkuar mirë por sfida jonë është që të zvogëlojmë rreziqet që vijnë nga drejtuesit e tjerë të mjeteve. Për këtë arsye një konferencë si kjo është kaq e rëndësishme për të mundësuar fillimin e një procesi që ndihmon përmirësimin e ngarjes së makinës në të gjithë vendin. TAP synon të ketë transport të sigurt gjatë zhvillimit të projektit dhe të lërë gjurmë në përmirësimin e kualifikimit të punonjësve mbi sigurinë teknike si edhe përmirësimin në përgjithësi të standardeve të sigurisë në vend.

Drejtori i Përgjithshëm i AVIS International Leasing, Athanasios Theodorou, theksoi nevojën për të qenë të gjithë kontribues në rritjen e sigurisë rrugore, duke u njohur, duke i përbrendësuar dhe duke i zbatuar standardet evropiane për t’i kthyer rrugët në hapsira për lëvizje të sigurt. “Duhet të kontribuojnë të gjithë për të përmirësuar standardet e sigurisë rrugore. Përveç standardeve të infrastrukturës rrugore, që është shumë e rëndësishmë, duhet gjithashtu të fokusohemi tek sjellja e njerëzve. Është e nevojshme që të ofrohet më shumë trajnim dhe ndërgjegjësim për drejtuesit e mjeteve dhe jo vetëm.”

Standardet e zbatuara nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian mbi sigurinë teknike të rrugëve u morrën si pikë referimi për të drejtuar përpjekjet e përbashkëta të sektorit publik dhe privat në Shqipëri për t’i bërë rrugët më të sigurta.

Konferenca shërbeu si një platformë takimi dhe diskutimi mes institucioneve qeveritare, ekspertëve, vendas apo të huaj, dhe sipërmarrjeve private që janë të interesuara në përmirësimin e gjendjes aktuale në rrugët e Shqipërisë. Gjatë konferencës u prezantuan eksperienca dhe shembuj sesi mund të rritet ndërgjegjësimi mbi sigurinë rrugore në mënyrë që të shmangen ngjarje të padëshiruara.