TAP Ndihmon në Promovimin e Standardeve të Sigurisë në Shqipëri Skip to main content

Kthehu pas

TAP Ndihmon në Promovimin e Standardeve të Sigurisë në Shqipëri

22 nëntor 2016

 

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një nga aktorët dhe promovuesit më të rëndësishëm të standardeve të sigurisë në Shqipëri, dhe në këtë kuadër ka marrë pjesë aktive në Tryezën e Tretë të Punës për Sigurinë e Tubacioneve të Gazit, organizuar në Tiranë më 18 nëntor 2016. Eventi i titulluar “Gazifikimi i Shqipërisë ngre kapacitetet e sigurisë teknike” mblodhi së bashku institucionet dhe kompanitë private kryesore në fushën e energjisë për të ndarë përvojat dhe për të promovuar sigurinë si dhe praktikat më të mira mjedisore në industrinë e gazit. 

 

Në event ishin të pranishëm zëvendës Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Ilir Bejtja, Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Eleni Surani, Menaxheri për Vendin i TAP, Shkëlqim Bozgo, Menaxheri i Projektit i TAP për Greqinë dhe Shqipërinë, Karl Roberts, si dhe përfaqësues të tjerë të shumtë nga institucione dhe shoqëri që operojnë në sektorin e energjisë. Kontraktorët dhe nën kontraktorët e TAP-it prezantuan përvojat e tyre gjatë ndërtimit të seksionit shqiptar të gazsjellësit.

Rezultati i përgjithshëm i diskutimeve të shumta ishte unanim: Shoqëritë shqiptare gjatë ndërtimit të projektit TAP po përfitojnë një përvojë shumë të rëndësishme për standardet e sigurisë teknike në punë. TAP-i ofron një mundësi të mire që Shqipëria të përmirësojë standardet e sigurisë jo vetëm në sektorin e energjisë, por edhe në ndërtim dhe transport.

“Nisur nga përkushtimi për zbatimin e standardeve ndërkombëtare të shëndetit, sigurisë, sigurimit teknik në punë, mbrojtjes së mjedisit dhe përdorimit të praktikave më të mira, TAP-i mund të shërbejë si shembull për t’u ndjekur në këtë fushë. Ky projekt ndihmon me formimin e një kulture shumë të nevojshme në shoqërinë dhe komunitetin e biznesit në Shqipëri mbi sigurinë teknike në punë” theksoi Ambasadorja e Greqisë në fjalimin e saj.

Tryeza e Tretë të Punës për Sigurinë Tubacioneve të Gazit u organizua nga Zyra për Çështje Ekonomike dhe Tregtare në Ambasadën e Greqisë në Tiranë, në bashkëpunim me Management Force Group dhe nën kujdesin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë.