Zëvendës Kryeministri, Kryebashkiaku i Devollit dhe TAP Kontrollojnë Punimet në Shkollën e Bilishtit Skip to main content

Kthehu pas

Zëvendës Kryeministri, Kryebashkiaku i Devollit dhe TAP Kontrollojnë Punimet në Shkollën e Bilishtit

16 maj 2017

Tiranë, Shqipëri. Më 12 maj, zëvendës Kryeministri i Shqipërisë, Niko Peleshi, Kryetari i Bashkisë së Devollit, Bledjon Nallbati, dhe Drejtori i TAP për Shqipërinë, Shkëlqim Bozgo, zhvilluan një vizitë inspektimi për të parë ecurinë e punimeve për rikonstruksionin e plotë të shkollës së mesme “Fuad Babani” në Bilisht. Ndërhyrja infrastrukturore do të përmirësojë kushtet e mësimit për nxënësit e kësaj shkolle dhe është pjesë e investimeve sociale dhe mjedisore të TAP përgjatë gjurmës së gazsjellësit në Shqipëri.

 

Në shkollën “Fuad Babani” mësojnë mbi 600 nxënës jo vetëm nga Bilishti por edhe nga fshatrat e Bashkisë së Devollit. Me riorganizimin e shkollave në këtë bashki pritet që numri i nxënësve të pësojë rritje gjatë vitit të ri mësimor.

Zëvendës Kryeministri pasi falenderoji TAP për investimet sociale dhe mjedisore, përgjatë gjithë gjurmës së gazsjellësit dhe veçanërisht në Korçë, shtoi: “Ky nuk është thjesht një rikonstruksion shkolle por një model i ri i bashkëpunimit midis projektit TAP, Bashkisë së Devollit dhe Qeverisë Shqiptare. Ky investim i TAP për rikonstruksionin e shkollës Fuad Babani na ofron edhe një standard të ri sesi duhet të rikonstruktohet çdo shkollë në Shqipëri, me standarde të larta të sigurisë dhe efiçencës termike dhe energjetike.”

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Devollit vlerësoi bashkëpunimin me TAP duke thënë: “Kemi gjetur gjuhën e përbashkët për t’i dhënë Bilishtit dhe gjithë Bashkisë së Devollit një shkollë model me paramentrat më të larta në vend. Kjo shkollë jo vetëm që do të plotësojë kushtet optimale për mësim por edhe do të kthehet në një qendër komunitare duke i shërbyer gjithë qytetit.”

Shkëlqim Bozgo, gjatë inspektimit të punimeve në këtë shkollë u shpreh: “Falenderoj për bashkëpunimin e deritanishëm të dyja nivelet e qeverisjes pasi është e vetmja mënyrë për të realizuar investime sociale të këtyre përmasave në dobi të komuniteteve. TAP ka nisur tashmë një sërë investimesh sociale dhe mjedisore përgjatë gjithë gjurmës së gazsjellësi. Shkolla Fuad Babani është pjesë e këtyre investimeve dhe përveç përmirësimit tërësor të kushteve të shkollës po investohet edhe në rritjen e masave të sigurisë.”

Punimet kanë nisur në mars të këtij viti dhe pritet që të përfundojnë në fund të muajit maj të po këtij viti. Projekti parashkon ndërhyrje të plotë në ambientet e brendshme dhe të jashtme të shkollës. Do të rikonstruktohet plotësisht palestra, do të ndërtohen tualete të reja dhe do të vendosen shkallët e emergjencës, sipas stadardeve ndërkombëtare. Gjithashtu, shkollës do t’i ndërtohet edhe rrjeti inxhinierik i impiantit të ngrohjes së bashku me sistemin e mbrojtjes ndaj zjarrit, përveç veshjes termo-izoluese kapot, ndërrimit të shtresave të dyshemesë, ndërtimit të çatisë, ndërrimit të dyerve dhe dritareve, instalimit të telefonisë dhe internetit, etj.

Të gjitha punimet për rikonstruksionin e plotë të shkollës “Fuad Babani” po kryen nga kompani shqiptare. Konsorciumi AD-Star & Kefa po realizon punimet ndërtuese ndërsa kompania ICE është përzgjedhur për të bërë supervizimin të cilat kanë punësuar rreth 70 persona.  Ndërkohë, të gjitha projektet sociale dhe mjedisore të TAP po menaxhohen nga Abkons, gjithashtu një kompani shqiptare.

Investime Sociale dhe Mjedisore të TAP që janë përfunduar:

  • Rikonstruksioni i mjediseve të shkollës “Andon Profka” në Seman të Fierit
  • Rindërtimi i urës me dy-kalime në Çorovodë
  • Ndihma humanitare për komunitetin e prekura nga përmbytjet dhe moti shume i acartë.
  • Faza e parë e fushatës ndërgjegjësuese mbi sigurinë në rrugë, shtëpi dhe punë
  • Faza e parë e programit të praktikave profesionale për studentët

Investime Sociale dhe Mjedisore të TAP që janë në zhvillim e sipër:

  • Rikonstruksioni i plotë i shkollës “Fuad Babani” në Bilisht
  • Rikonstruksioni i plotë i shkollës “Thanas Ikonomi” në Fier
  • Ndërtimi i dy strukturave panoramike në kanionin e Osumit, Çorovodë
  • Faza e dytë e fushatës ndërgjegjësuese mbi sigurinë në rrugë, shtëpi dhe punë
  • Faza e dytë e programit të praktikave profesionale për studentët
  • Regjistrimi i pasurive të paluajtshme në Vithkuq, Korçë