Skip to main content

Kthehu pas

TAP i Shpjegon Studentëve të Universitetit Politeknik Projektin dhe Programin e Praktikave Profesionale

24 maj 2017

Më 24 maj, Gazsjellësi Trans Adriatik, TAP, organizoi një leksion të hapur për studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës. Studentët u njohën me ecurinë, sfidat dhe mundësitë që paraqet projekti TAP për Shqipërinë por edhe për ata vetë.

 

Leksioni i hapur u organizua në bashkëpunimin me stafin akademik të Universitetit Politeknik të Tiranës, në përgjigje të kërkesës së studentëve të këtij universiteti për të mësuar më shumë mbi TAP. Studentët u njohën me një sërë procesesh nga ndërtimi i gazsjellësit si studimet paraprake të mjedisit dhe faktorëve social, marrja në përdorimin të tokës, vetë fazat e ndërtimit të gazsjellësit, standardet e sigurisë teknike në punë, përkujdesja ndaj trashëgimisë kulturore, investimet sociale etj.

Drejtori i Përgjithshëm i TAP për Shqipërinë, Shkëlqim Bozgo, duke u ndalur tek zhvillimi i burimeve njerëzore në vend, tha: “Mbi 1’900 persona janë drejtpërdrejtë të punësuar në ndërtimin e TAP dhe më shumë se 80% e tyre janë shqiptar. Përvoja që ata po marrin duke u njohur, duke u trajnuar dhe duke zbatuar standardet e larta që ndiqen gjatë ndërtimit të TAP është një përfitim shumë i rëndësishëm. Transferimi i kësaj përvoje tek profesionistët vendas i ndihmon ata që të zgjerojnë njohuritë e tyre dhe t’i krijojnë vetes mundësi punësimi në projekte të ngjashme përtej kufijve të Shqipërisë.”

Në fund të këtij leksioni të hapur studentët u njohën edhe me Programin e Praktikave Profesionale të TAP. Drejtori i TAP për Shqipërinë i ftoi studentët që të aplikojnë pasi ky program është një mundësi e rrallë për të parë nga brenda sesi organizohet puna në një projekt të tillë. Studentët që do të përzgjidhen do të mësojnë duke punuar nga eksperienca e profesionistëve më të mirë ndërkombëtarë që po punojnë në TAP.

TAP është i përkushtuar që të nxisë dhe të mbështesë edhe në të ardhmen aktivitete të tilla si takimi me të rinjtë që duan të bëhen inspektorë terreni në TAP, konferenca për promovimin e praktikave më të mira mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore apo vetë programi i praktikave profesionale. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve studentëve i krijohet mundësia për të kuptuar më mirë sesi njohuritë e marra në auditore zbatohen në praktikë.