TAP Ofron Ndihmë për Blegtorët e Prekur nga Përmbytjet Skip to main content

Kthehu pas

TAP Ofron Ndihmë për Blegtorët e Prekur nga Përmbytjet

19 dhjetor 2017

Fier, Shqipëri. Më 14 dhe 15 dhjetor, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) ofroi 200 ton ushqim për bagëtitë, si ndihmë për blegtorët e Bashkisë e Fier, të cilët u prekën nga përmbytjet e muajit nëntor.

 

Përmbytjet dëmtuan rezervat me ushqim për bagëtitë, duke e bërë shumë të vështirë ushqimin e tyre. Për këtë arsye, TAP, ofroi ushqim për bagëtitë për më shumë se 10 fshatra. Ndihma e shpërndarë në më shumë se 1,500 blegtorë do të mbajë me ushqim për një periudhë emergjence 20 ditore një numër prej më shumë se 10,000 bagëtish të imëta dhe mbi 1,500 gjedhë.

Një nga njësitë administrative të Bashkisë Fier e cila është prekur më shumë nga përmbytjet është ajo e Dermenasit. Administratori i Njësisë Administrative të Dermenasit, Dilaver Shyti, gjatë shkarkimit të ushqimit nga kamionët tha: “Mbajtja e gjedhëve dhe bagëtive të imta me ushqim u bë e pamundur, duke u kthyer në një tjetër emergjencë. Fermerët e kanë shumë të vështirë që të sigurojnë ushqim për bagëtitë pasi të gjitha rezervat u dëmtuan nga përmbytja. Falënderojmë TAP që edhe një herë na është gjendur në krah për të përballuar një tjetër emergjencë.”

Ndihmat iu dorëzuan Bashkisë së Fierit dhe për shpërndarjen e tyre ndihmuan Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Kjo nuk është hera e parë që TAP i është përgjigjur komuniteteve pranë gjurmës së gazsjellësit në raste emergjencash. Në janar të 2017, TAP ndihmoi rreth 1300 familje me ushqime për të përballuar dimrin e ashpër dhe gjatë gushtit 2017 i dhuroi Emergjencave Civile uniforma dhe fikse zjarri

FUND

 

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek, në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Gjurma që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe të tjera vende. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Austria.

TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë gjurmës së Gazsjellësit. Ai do të jetë një burim i madh i investimeve të huaja direkte. Pas shitjeve të para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, të synuara për në fund të vitit 2018, sasia e parë e gazit në Evropë do të mbërrijë përafërsisht në fillim të vitit 2020.

Aksionarët e TAP-it janë BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

 

Kontakt për Media: agim.fjolla@tap-ag.com  

Më shumë rreth TAP: Twitter | FacebookInstagram