Skip to main content

Kthehu pas

TAP dhe Korpusi i Vullnetarëve në Mbështetje të Mjedisit

14 gusht 2018

Tiranë, Shqipëri. Gjatë muajve Qershor dhe Korrik 2018, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) në bashkëpunim me Korpusin e Vullnetarëve, pjesë e organizatës jo-qeveritare Forumi i Mendimit të Lirë, kanë kryer pesë aksione pastrimi të cilat janë shtrirë përgjatë gjurmës së gazsjellësit TAP në Shqipëri.

Aksionet e pastrimit u zhvilluan në disa prej zonave më të ndotura në bashkitë e Fierit, Beratit, Urës Vajgurore dhe Poliçanit. Më shumë se 1,000 vullnetarë, për të gjitha pastrimet së bashku, morën pjesë për pastrimin e plazhit të Semanit, zonës pranë urës së Mbrostarit, lagjes historike të Beratit dhe disa zonave të luginës së Lumit Osum, në Urën Vajgurore dhe Poliçan.

Në përmbledhje të aksioneve të pastrimit, vullnetarët larguan nga këto zona të ndotura më shumë se 5,000 qese me mbetje, kryesisht ambalazhime plastike, kanaçe dhe veshje tekstile të grumbulluara ndër vite.

 

 

Këto aksione pastrimi shërbyen gjithashtu edhe si një fushatë ndërgjegjësimi për vullnetarët dhe banorët e zonave. Qytetarë nga të gjitha moshat, punonjës të bashkive përkatëse dhe TAP morën pjesë në këtë aksion të madh pastrimi dhe ndërgjegjësimi.

Të gjitha aksionet e pastrimit janë pjesë e Programit për Investime Sociale dhe Mjedisore dhe përkushtimit të TAP për mbrojtjen e mjedisit përgjatë zonave nga ku kalon gazsjellësi.