Skip to main content

Kthehu pas

Punonjësit e TAP Pastrojnë Plazhin e Semanit

16 maj 2019

Fier, Shqipëri. Më 10 maj 2019, punonjësit e Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) dhe kontraktorëve të tij në Shqipëri bashkuan forcat për pastrimin e plazhit të Semanit, në Fier. Nisma kishte për qëllim heqjen e mbeturinave nga plazhi, duke përmirësuar kështu përvojën e turistëve që e vizitojnë.

 

Pesëdhjetë e gjashtë punonjës të TAP dhe të kontraktorëve Renco-Terna dhe Saipem ndërmorën nismën për pastrimin e plazhit. Punonjës nga Stacioni i Kompresorit dhe nga kantieri i daljes në det u organizuan në grupe dhe grumbulluan mbeturina të ndryshme, të tilla si plastikë, bishta cigaresh, shishe plastike dhe qelqi, etj. Mbeturinat e kishin mbuluar plazhin Seman prej shumë kohësh.

Mbetjet në plazh nuk janë vetëm të pakëndshme por mund të jenë edhe të rrezikshme. Metalet e mprehta dhe copat e xhamit paraqesin rrezik për vizitorët. Copëzat e mprehta të mbeturinave mund të fshihen lehtë në rërë duke dëmtuar rëndë njerëzit që ecin zbathur.

Reagimi i komuniteteve lokale ishte shumë pozitiv. Banorët që jetojnë pranë këtij plazhi besojnë se pastrimi do të ndihmojë ekonominë lokale, pasi turistët tani kanë më shumë gjasa të vizitojnë plazhin e tyre të vogël.

Pastrimi i plazhit para fillimit të sezonit turistik është një tregues tjetër i përkushtimit të TAP për mbrojtjen e mjedisit dhe pasjen e një ndikimi sa më të vogël në të përditshmen e komuniteteve pranë gjurmës.