Skip to main content

Gjurma e Gazsjellësit Trans Adriatik

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) do të nisë në afërsi të Kipoit në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë, ku do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP).

Nga kjo pikë, TAP-i do të vazhdojë në pjesën tokësore, duke përshkuar të gjithë territorin e Greqisë së Veriut, që është dhe pjesa më e gjatë, dhe më pas do të vazhdojë nga lindja drejt perëndimit përmes Shqipërisë deri në bregdetin e Adriatikut.

Seksioni detar i gazsjellësit do të nisë në afërsi të qytetit shqiptar të Fierit, dhe do të kalojë nëpër Detin Adriatik për t’u lidhur me rrjetin italian të transportit të gazit në Italinë e Jugut.

TAP do të jetë afërsisht 878 km i gjatë (Greqi rreth 550 km; Shqipëri 215 km; Deti Adriatik 105 km; Itali 8 km). Pika më e lartë do të jetë 1,800 metra mbi nivelin e detit në malet shqiptare, ndërsa më e ulëta do të jetë 820 metra në thellësi të ujërave në Adriatik.

Ju lutem, përdorni hartën dinamike interaktive më poshtë për të parë propozimin aktual për drejtimin e TAP-it.

QARTËSIME MBI HARTËN DINAMIKE:

Rruga e tubacionit tashmë është fiksuar. Disa ndryshime të vogla mund të ndodhin për të adresuar çështje të panjohura, të tilla si zbulimi i një vendi arkeologjik të panjohur më parë.

Informacioni i përfshirë në këtë hartë GIS ofrohet dhe mirëmbahet nga kompani të ndryshme, duke përfshirë kontraktorë dhe nënkontraktorë të TAP. Asnjë garanci nuk jepet sa i përket saktësisë së të dhënave. Të dhënat e paraqitura në këtë faqe janë hartuar vetëm për qëllime informuese.

EMËRTIMET E PËRDORURA:

Përkufizimi dhe përdorimi i kufijve, emrave gjeografikë dhe të dhënave përkatëse të paraqitura në hartë nuk garantohen që të mos përmbajnë gabime dhe as nuk nënkuptojnë miratimin ose pranimin zyrtar nga TAP AG.

Greqia
Në Greqi tubacioni do të jetë rreth 550 km. i gjatë, duke filluar nga Kipoi në afërsi të kufirit Turko-Grek dhe duke përfunduar në kufirin ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë në Jugperëndim të Ieropigi.

Shqipëria
Në Shqipëri tubacioni i gazsjellësit do të jetë rreth 215 km i gjatë, duke filluar në Bilisht Qendër, në Qarkun e Korçës, që kufizohet me Greqinë. Dalja në det e TAP-it në Shqipëri do të jetë 17 km në Veriperëndim të Fierit, deri në 400 metra në brendësi të tokës larg nga vija bregdetare. Pjesa e tij në ujërat territoriale shqiptare do të jetë rreth 37 km e gjatë.

Deti Adriatik
Gjurma e TAP-it përmes Detit Adriatik do jetë rreth 105 km e gjatë dhe do të shtrihet në shtratin e detit nga bregu shqiptar deri në atë italian.

Itali
TAP do të dalë në tokë në Italinë jugore, në Leçe, Bashkia e Melendigno, në afërsi të San Foca. Pjesa detare e tubacionit përmes ujërave territoriale italiane do të jetë rreth 25 km e gjatë, ndërsa pjesa tokësore e tij do të jetë rreth 8 km. Vendndodhja është përzgjedhur pas njëmbëdhjetë vlerësimesh të mundshme për tubacionin dhe ajo që u vendos është më e realizueshmja nga pikëpamja e sigurisë, mjedisore dhe shoqërore.

Ju lutemi vini re se shifrat e mësipërme janë përllogaritje dhe mund të ndryshojnë gjatë zhvillimit të mëtejshëm të projektit.