Skip to main content

Pamja e Gjerë

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një nga projektet infrastrukturore energjetike më me rëndësi në Evropë.

Gazsjellësi është pjesa evropiane e Korridorit Jugor të Gazit, një zinxhir i ndërlikuar vlerash me projekte energjetike që lidhin furnizimet me gaz natyror, nga faza e dytë e zhvillimit të fushës së stërmadhe të Shah Deniz-it në Azerbajxhan me Evropën.

Kërkesa evropiane për gaz natyror

Evropa për të përmbushur kërkesën e saj afatgjatë për energji; për të zëvendësuar prodhimin energjetik të saj që nuk i përmbush nevojat; për të ushqyer rritjen ekonomike si dhe për të diversifikuar furnizimin me energji, ka nevojë për burime të reja gazi.

Gazi natyror pritet të luajë një rol gjithmonë e më të rëndësishëm në përbërjen evropiane të energjisë për dhjetëvjeçarët në vazhdim. Duke qenë se është karburanti më i pastër fosil, gazi natyror ka përparësi të forta e të dukshme krahasuar me burime të tjera energjetike si qymyri dhe nafta. Dhe çka është më e rëndësishme, gazi natyror ofron një mundësi energjetike të rëndësishme dhe të ndryshueshme në bashkërendim me energjitë e rinovueshme.

Burimet e padyshimta energjetike në Kaspik, përbëjnë një mundësi të jashtëzakonshme për Evropën në përballimin e sfidave të saj energjetike.

Ndërkohë që rritja ekonomike sjell një rritje të kërkesës për energji, si dhe duke patur parasysh një synim të përbashkët për anëtarësim në BE, Evropa Juglindore do të ketë gjithashtu nevojë për një përzierje energjetike më në baraspeshë me mjedisin,çka përfshin gazin natyror.

Diversiteti dhe siguria e furnizimit me energji për Evropën

Duke qenë se tashmë ka rrugë furnizimi që lidhin tregjet evropiane me furnizime nga Rusia, Afrika dhe Deti i Veriut, korridori i ri energjetik nga Kaspiku, do të sigurojë diversitet të furnizimit me gaz dhe do të ulë rrezikun e vartësisë së tepërme nga një burim i vetëm furnizimi. Ai do të ndihmojë në hapjen e një linje të re transporti dhe do të ofrojë një burim të ri gazi për Evropën.

Shumë vende në Evropën Juglindore, duke qenë se janë të lidhura vetëm me një burim për furnizimin e tyre me gaz, janë tejet të prekshme nga ndërprerjet në furnizim dhe çmimet jo konkurruese. Disa vende të tjera në rajon, si Shqipëria, nuk janë fare të lidhura me rrjetin e gazit. Ato përdorin qymyrin dhe naftën për përmbushjen e nevojave të tyre energjetike.

TAP-i, do të hapë rrugën që burime të reja energjie të hyjnë në këto tregje, dhe ndërkohë do të promovojë zhvillimin e sektorëve të tyre energjetikë.

Duke pranuar kontributin thelbësor për qëllimin strategjik të përforcimit të diversitetit dhe sigurisë energjetike të Evropës, Komisioni Evropian dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbështesin ndërtimin e TAP-it. Për më shumë lexoni.

Megjithatë, integrimi dhe diversifikimi i furnizimit me gaz për BE-në nuk është vetëm një synim i politikave strategjike. Duke përmirësuar likuiditetin dhe konkurrencën e tregjeve energjetike evropiane, TAP-i do të sigurojë gjithashtu një marrëveshje më të mirë si për prodhuesit e energjisë ashtu edhe për konsumatorët.

Mbështetja e vendeve pritëse

Përfitimet ekonomike dhe strategjike të TAP-it janë gjithashtu të rëndësishme në nivel kombëtar për vendet nëpër të cilët kalon gazsjellësi.

Greqia, Shqipëria dhe Italia, në shkurt të vitit 2013 kanë nënshkruar një Marrëveshje Ndërqeveritare (IGA) në mbështetje të TAP-it, dhe ato vazhdojnë të bashkëpunojnë plotësisht me projektin.

Për më tepër, TAP-i ka hyrë në marrëveshje të tjera me rëndësi në nivel kombëtar, siç janë marrëveshjet me vendin pritës (HGA-të) me Greqinë dhe Shqipërinë, opinioni pozitiv mbi përjashtimin për aksesin e palës së tretë (TPA) nga rregullatorët kombëtarë të energjisë, si dhe Vlerësimet e Ndikimit Mjedisor dhe Social (miratuar në Shqipëri, Greqi dhe Itali).

Përveç nxitjes për zhvillimin e tyre ekonomik si pasojë e furnizimeve të reja me energji, ndërtimi i gazsjellësit në vendet pritëse të TAP-it do të tërheqë investime të huaja të konsiderueshme.

Ekspertët e pavarur kanë përllogaritur se në këto vende do të hapen shumë vende të reja pune, drejtpërsëdrejti nga kontraktorët e TAP-it dhe në mënyrë të tërthortë përmes të ashtuquajturve ndikime “si rrjedhojë” në prodhim, shërbime komunale, transport, komunikacion dhe shërbime financiare e biznesi. Vendet pritëse do të gëzojnë gjithashtu status të lartësuar si rrugëdalje dhe pika lidhjeje në hartën energjetike evropiane. Për më shumë lexoni.

Mundësitë rajonale

Në nivel rajonal, TAP do të ndihmojë gjithashtu në realizimin e synimit të Bashkimit Evropian për furnizimin me gaz të Evropës Juglindore. Në shtator të vitit 2013, Konsorciumi i Shah Deniz-it ka nënshkruar marrëveshje për shitjen e gazit me blerës nga Evropa, përfshirë kompani energjetike në Greqi dhe Bullgari. Lexoni më shumë.

Duke vlerësuar shtysën që kjo marrëveshje do t’i jepte zhvillimit të tyre ekonomik dhe social, qeveritë e Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kroacisë dhe Malit të Zi, në maj të vitit 2013 kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) në mbështetje të TAP-it.

Të njëjtat vende kanë rënë gjithashtu dakord të mbështesin Gazsjellësin e propozuar Jonian Adriatik, që planifikohet të lidhet me TAP-in në Shqipëri, duke e bërë këtë vend nyje për kalimin e gazit Kaspik drejt Ballkanit Perëndimor. Tregje të tjera me kërkesa të larta energjetike në rajon si: Bullgaria, Sllovenia, Hungaria, Serbia dhe Maqedonia, gjithashtu mund të përfitojnë nga TAP-i. Për më shumë lexoni.