Mbështetja e BE-së për TAP-in
Bashkimi Evropian pranon rolin e Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) për trajtimin e politikave urgjente energjetike, lidhur me sigurimin e diversitetit dhe sigurisë së furnizimit me energji për Evropën.
Pasi të jetë ndërtuar, TAP-i do të ketë një rol të rëndësishëm për sigurimin e të ardhmes energjetike të Evropës. Duke qenë një nga projektet më të rëndësishme të infrastrukturës energjetike për shumë vite, TAP-i do të realizojë rrjedhjen e gazit nga rajoni Kaspik për në tregjet energjetike evropiane me kërkesa të larta.
Duke arritur këtë synim, gazsjellësi do të hapë Korridorin Jugor të Gazit, një koncept i BE-së në thelb të strategjisë së saj energjetike. Kjo rrugë e re do t’i shtojë burimet nga të cilat Evropa do të furnizohet me gaz, dhe si rrjedhojë furnizimet e saj me energji do të jenë më të sigurta dhe më fleksibël.
Projekt i Interesit të Përbashkët
Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës i kanë dhënë TAP-it statusin e Projektit me Interes të Përbashkët (PCI), në përputhje me udhëzimet e reja për infrastrukturën energjetike trans-evropiane (TEN-E).
PCI-të janë një pjesë e rëndësishme e rregulloreve të BE-së për infrastrukturën energjetike trans-evropiane; ato trajtojnë nevojën e stërmadhe për investime në këtë fushë.
TAP është përzgjedhur si një PCI në vitin 2013,2015 dhe 2017, ndër të tjerash, për rolin e tij në hapjen e Korridorit Jugor të Gazit, një nga 12 të ashtuquajturit korridore energjetike të identifikuar nga BE-ja si përparësi për arritjen e synimeve të politikave energjetike evropiane.
Statusi PCI iu rezervohet projekteve infrastrukturore kyç dhe ka si qëllim përshpejtimin e lëshimit të licencave dhe lejeve të nevojshme si dhe përmirësimin e proceseve rregullatore. PCI-të ndihmojnë shtetet anëtare të BE të integrojnë tregjet e tyre të energjisë, u krijon mundësinë atyre që të diversifikojnë burimet e tyre të energjisë dhe synojnë t’i japin fund izolimit energjetik të disa prej shtetet anëtare të BE.
Projektet, që të mund të kualifikohen,ndër të tjerash, duhet:
- Të përfshijnë të paktën dy shtete anëtare të BE-së.
- Të japin kontribut për integrimin e tregut dhe mëkimin e konkurrencës.
- Të përforcojnë sigurinë dhe diversifikimin e furnizimit.
- Të kontribuojnë në qëndrueshmëri.
Identifikimi i TAP-it si PCI për tre vite të njëpasnjëshëm formalizon mbështetjen më të lartë politike të BE-së për projektin dhe zbatimin e tij.
Projekt me Interes për Komunitetin e Energjisë
Përveç statusit të tij si PCI, në 2013, Komuniteti i Energjisë e ka quajtur TAP-in një Projekt me Interes për Komunitetin e Energjisë (PECI).
Një task forcë e drejtuar nga Komisioni Evropian, ka vlerësuar dhe shqyrtuar njëqind projekte të ndryshme përpara se të përzgjidhte 35 PECI, përfshirë edhe TAP-in.
Ky përcaktim u jepet vetëm atyre projekteve, të cilat sipas fjalëve që ka thënë Sekretariati i Komunitetit të Energjisë për to, “kanë ndikimin më të lartë pozitiv në numrin më të madh të Palëve Kontraktuese”.