Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP në Shqipëri nis fushatë ndërgjegjësimi për aksidentet rrugore

03 gusht 2017

Tiranë, Shqipëri. Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) ka nisur në radio një fushatë ndërgjegjësimi përmes së cilës i kërkon drejtuesve të makinave që të jenë më të kujdesshëm. Numri i lartë i aksidenteve rrugore në Shqipërisë, në raport me popullsinë, është një shqetësim i vazhdueshëm i cili bëhet edhe më i dukshëm gjatë stinës së verës.

 

Në Shqipëri, sipas statistikave të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, çdo muaj ndodhin rreth 168 aksidente rrugore ku si pasojë mbi 22 persona humbin jetën. Pavarësisht se në Shqipëri qarkullojnë afërsisht 565,000 makina, numri i aksidenteve dhe sidomos atyre me pasoja fatale është shumë i lartë. Për këtë arsye TAP nisi në fund të muajit qershor një fushatë ndërgjegjësimi në radio duke i tërhequr vëmendjen drejtuesve të mjeteve që të tregohen më të vëmendshëm dhe më të kujdesshëm gjatë drejtimit të automjeteve.

Dy spotet radiofonike që përcjellin mesazhe për ndërgjegjësimin e drejtuesve që të bëjnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor po transmetohen kryesisht gjatë ditëve dhe orareve ku është konstatuar edhe numri më i madh i aksidenteve fatale. Përveç transmetimit të spoteve, është rënë dakord me drejtuesit e radiove që gjatë emisioneve radiofonike, folësit të përcjellin mesazhe të ngjashme me spotet si dhe të diskutojnë mbi përmirësimin e situatës së aksidenteve rrugore. Falë kësaj forme bashkëpunimi me radiot, mesazhi ndërgjegjësues merr më shumë zë dhe bëhet akoma më i pranishëm në makina për drejtuesit dhe udhëtuesit.

Fushata për ndërgjegjësimin e drejtuesve të makinave do të vazhdojë gjatë gjithë verës. Radiot kombëtare që janë pjesë e kësaj fushate janë: Radio Tirana, Top Albania Radio dhe Club FM. Ndërsa radiot lokale, përgjatë gjurmës së TAP të cilat iu bashkuan kësaj fushate janë: Radio Globi e Beratit; Radio Korça dhe Radio City FM të Korçës; Radio Fieri dhe Radio Star të Fierit.

FUND

 

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP), në kufirin turko-grek në Kipoi, do të kalojë përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Rruga që përshkon TAP-i mund të përmirësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe vende të tjera. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa prej tregjeve më të mëdha evropiane, si në Gjermani, Francë, Britani e Madhe, Zvicër dhe Austri.

TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, gjatë gjithë gjurmës së gazsjellësit. Ai do të jetë një burim i madh investimesh të huaja direkte dhe nuk varet nga grante, apo subvencione. Pas fillimit të tregtimit të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, synuar të nisë në fund të vitit 2018, sasia e parë e gazit do të mbërrijë në Evropë në vitin 2020.

Aksionarë të TAP-it janë: BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Pyetje nga media:
agim.fjolla@tap-ag.com 

Më shumë rreth TAP:
www.tap-ag.al | Twitter | Facebook