Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP u Dorëzon Autoriteteve Shqiptare Fikës Zjarri Shpine dhe Uniforma Zjarrduruese për të Luftuar Zjarret

30 gusht 2017

 

Tiranë, Shqipëri. Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), në një ceremoni, organizuar me 29 gusht 2017 në ambientet e Ministrisë së Brendshme, i ka dorëzuar autoriteteve shqiptare 600 fikës zjarri shpine dhe 100 uniforma zjarrduruese. Kjo është pjesë e ndihmës ofruar nga TAP për të përballuar situatën e emergjencës me zjarret në të gjithë vendin. 

 

 

Në bashkëpunim dhe në koordinim me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, me Ministrisë e Punëve të Brendshme dhe Emergjencat Civile, TAP ka mundur të sigurojë dhe të dorëzojë fikësit e zjarrit dhe uniformat zjarrduruese në një kohë shumë të shkurtër. Këto pajisje do t’i japin mundësi zjarrfikëseve që të jenë më efikas për të luftuar zjarret dhe njëkohësisht pa rrezikuar veten. Fikësit e shpinës dhe uniformat zjarrduruese po shpërndahen në të gjithë territorin e Shqipërisë për t’ju përgjigjur emergjencës.

Të pranishëm në ceremoni ishin përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, përfaqësues nga Emergjencat Civile, Zjarrfikësit, Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura, Shërbimi Pyjor, etj.

Drejtori i TAP për Shqipërinë, Shkëlqim Bozgo, në këtë ceremoni u shpreh se: “Të gjithë ne në TAP, ashtu si çdo qytetar tjetër i Shqipërisë, po ndjekim me shumë shqetësim përmasat që po marrin zjarret në vend duke shkatërruar sipërfaqe pa fund me pyje dhe, në disa raste, duke rrezikuar edhe jetë njerëzore. Në vijim të marrëveshjes me Qeverinë Shqiptare, ku përfshihet edhe komponenti social, nuk hezituam për as edhe një moment për të dhënë kontributin tonë. I gjithë stafi i TAP është përkushtua maksimalisht dhe brenda dy javëve u dorëzuan të gjitha fikset e zjarrit të shpinës dhe uniformat zjarrduruese.”

Zëvendës Ministri i Punëve të Brendshme, Stefan Çipa, shprehu mirënjohjen e tij për reagimin e shpejtë nga ana e TAP për emergjencën: “Ne falënderojmë TAP që iu përgjigj pozitivisht kërkesës sonë dhe që dorëzoi këto pajisje në një kohë shumë të shkurtër. Jemi besimplotë që bashkëpunimi me TAP do të vijojë edhe në të ardhmen.”

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Koli Bele, vlerësoi lart bashkëpunimin midis TAP dhe Qeverisë Shqiptare: “Ky është një shembull i mirë i përkushtimit të TAP në investimet sociale dhe mjedisore, si pjesë e marrëveshjes me qeverinë shqiptare. Jam i bindur që në të ardhmen do të shikojmë shumë investime sociale dhe mjedisore nga ana e TAP, sidomos pranë komuniteteve përgjatë gjurmës së gazsjellësit.”

Duke marrë në konsideratë mundësinë e lartë për zjarre gjatë periudhës së verës, TAP, në koordinim me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe atë të Punëve të Brendshme, do t’i ofrojë autoriteteve shqiptare në një moment të dytë makina zjarrfikëse dhe ambulanca me kalueshmëri të lartë që mund të arrijnë terrene të vështira malore.

TAP është një investim afatgjatë në Shqipëri dhe ndërtimi i një partneriteti të qëndrueshëm me të gjithë aktorët lokalë është shumë i rëndësishëm. Gazsjellësi Trans Adriatik ka ofruar edhe më parë ndihmë për përballimin e situatave të emergjencave në Shqipëri. Kujtojmë që gjatë dimrit të ashpër 2016 – 2017, ku shumë fshatra u izoluan, TAP u erdhi në ndihmë rreth 1’300 familjeve duke i ofruar pako me ushqim dhe batanije.