Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

Zyrtarë të Zvicrës Vizitojnë Kantierin e Ndërtimit të TAP në Berat

13 shtator 2017

Berat, Shqipëri. Më 12 shtator 2017, Drejtori i Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit në Sekretariatin e Shtetit Zviceran për Ekonominë (SECO) bashkë me Ambasadorin e Zvicrës në Shqipëri vizituan kantierin e ndërtimit të TAP pranë Beratit.

 

Konfederata Zvicerane gjithnjë e ka mbështetur projektin TAP dhe zhvillimin e sektorit të gazit në Shqipëri. Ky ishte mesazhi kryesor që përcolli gjatë vizitës në kantierin e ndërtimit të TAP, Drejtori i Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit në Sekretariatin e Shtetit Zviceran për Ekonominë (SECO) Raymund Furrer dhe Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri Christoph Graf.

Përfaqësuesit e Konfederatës Zvicerine panë nga afër një nga kantieret e ndërtimit të TAP pranë qytetit të Beratit (në kilometrin 142, nga gjurma prej 215 km në Shqipëri). Përfaqësuesit e TAP dhe të kontraktorit Spiecapag prezantuan ecurinë e punimeve për ndërtimin e gazsjellësit dhe shpjeguan disa prej fazave të ndërtimit që po zhvillohen aktualisht në zonën e Beratit. Gjithashtu u përmendën edhe sfidat që paraqet terreni malor në Shqipëri dhe përkushtimi i vazhdueshëm i TAP ndaj sigurisë teknike, mjedisit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Pas vizitës në terren, drejtori i SECO dhe përfaqësuesit e Ambasadës Zvicerane në Shqipëri u takuan me drejtorin e TAP për Shqipërinë Shkëlqim Bozgo, i cili theksoi rëndësinë që ka projekti për ekonominë shqiptare dhe investimet e shumta sociale që po bën TAP në vend.

Përfaqësuesit e TAP  shprehën edhe një herë mirënjohjen për interesin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Konfederatës Zvicerane kundrejt TAP dhe vlerësuan rolin aktiv që ka mbajtur ambasada zvicerane në Shqipëri.