Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP mbështet Javën e Sigurisë Rrugore në Shqipëri

27 nëntor 2017

Tiranë, Shqipëri. Gazsjellësi Trans Adriatik, TAP, iu bashkua javës së ndërgjegjësimit për sigurinë rrugore që synon t’i bëjë drejtuesit e mjeteve motorike, kalimtarët dhe përdoruesit e tjerë të rrugës më të kujdesshëm. Java e Sigurisë Rrugore nisi më 19 nëntor, ditën ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave nga aksidentet rrugore. Ndërgjegjësimi për rritjen e sigurisë në rrugë bashkoi në një aksion të përbashkët TAP, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Policinë Rrugore dhe Spiecapag, kontraktorin e TAP për inxhinierinë, prokurimin dhe ndërtimin e pjesës tokësore të tubacionit.

 

Si pjesë e kësaj fushatë u organizuan shumë aktivitete të ndryshme përgjatë gjithë javës. Në segmentet rrugore më problematike u vendosën makina të aksidentuara më parë, duke i shoqëruar me mesazhe ndërgjegjësuese. Në Berat u shtua sinjalistika rrugore duke i tërhequr vëmendjen e këmbësorëve, kryesisht nxënësve të shkollës. Pjesë e fushatës ishte edhe vlerësimi i drejtuesve që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke u mbuluar shpenzimet e siguracionit të mjetit, për një vit.

Majlinda Mishaxhiu, Menaxhere e Sigurisë Teknike dhe Shëndetit për TAP në Shqipëri,  tha: “Përveç punës së policisë rrugore në parandalimin e aksidenteve, rol shumë të rëndësishëm luan edhe informimi dhe edukimi i përdoruesve të rrugës. Sa më të informuar dhe sa më të ndërgjegjshëm të jenë qytetarët mbi pasojat e një pakujdesie apo  mospërfilljes së rregullave të qarkullimit rrugor, aq më pak viktima do të kemi. E vlerësojmë faktin që në këtë fushatë ndërgjegjësimi, TAP është bashkë me Policinë Rrugore, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë edhe Spiecapag.”

Drejtori i Policisë Rrugore në Shqipëri, Mithat Tola, u shpreh: “Kjo javë do t’i shërbejë edhe atyre në vazhdim, pasi përpara kemi Festat e Nëntorit dhe festat e fundvitit ku një pjesë e madhe e emigrantëve kthehen në Shqipëri. Shpreh besimin tim që kjo fushatë do të ndihmojë për të ulur numrin e aksidenteve rrugore gjatë periudhës së festave.”

Java e Sigurisë Rrugore u shoqërua me një fushatë aktive në rrjetet sociale, nëpërmjet përdorimit të videove dhe imazheve ndërgjegjësuese me hashtagun #udhetorisigurt. Spotet radiofonike janë transmetuar në radiot kombëtare dhe lokale, kryesisht gjatë ditëve dhe orareve ku është raportuar numri më i madh i aksidenteve rrugore. Fushata e ndërgjegjësimit do të vazhdojë edhe gjatë muajit dhjetor.

Për TAP, siguria vjen e para dhe për këtë qëllim janë ndërmarrë edhe më parë disa nisma për informimin dhe edukimin përtej kantiereve të ndërtimit. Një ndër nismat e TAP është edhe Programi i Informimit, Ndërgjegjësimit dhe Trajnimit të komuniteteve dhe nxënësve të shkollave përgjatë korridorit të projektit, lidhur me sigurinë në rrugë dhe në mjedise të tjera, reagimin ndaj katastrofave si dhe njohuri të dhënies së ndihmës së parë.

Kurse gjatë verës së vitit 2017, nëpërmjet spoteve radiofonike në radiot kombëtare dhe lokale u është tërhequr vëmendje drejtuesve të mjeteve që të bëjnë kujdes me shpejtësinë, përdorimin e celularit, alkoolin dhe përdorimin e rripit të sigurimit.

 

FUND

 

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek, në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Gjurma që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe të tjera vende. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Austria.

TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë gjurmës së Gazsjellësit. Ai do të jetë një burim i madh i investimeve të huaja direkte. Pas shitjeve të para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, të synuara për në fund të vitit 2018, sasia e parë e gazit në Evropë do të mbërrijë përafërsisht në fillim të vitit 2020.

Aksionarët e TAP-it janë BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Kontakt për Median: agim.fjolla@tap-ag.com  

Më shumë rreth TAP: Facebook | Instagram | Twitter