Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

Mbi 7,000 Nxënës Ndjekin Trajnimin Organizuar nga TAP mbi Sigurinë

07 dhjetor 2017

Tiranë, Shqipëri. Në fund të muajit nëntor 2017 u organizua tavolina e rrumbullakët ku u prezantuan rezultatet e programit të financuar nga Gazsjellësi Trans Adriatik, TAP për Informimin, Ndërgjegjësimin dhe Trajnimin e nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe komuniteteve përgjatë gjurmës së gazsjellësit, mbi sigurinë. Përmes këtij programi një vjeçar, që u zbatua nga Këshilli Shqiptar i Sigurisë Rrugore u arrit të informohen dhe të trajnohen mbi sigurinë në rrugë dhe atë në përgjithësi rreth 8,000 persona, ndër të cilët më shumë se 7,000 ishin nxënës.

 

Në tryezën e rrumbullakët, organizuar nga Këshilli Shqiptar i Sigurisë Rrugore (KShSRr) dhe TAP morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtoritë Arsimore Rajonale të Fierit, Beratit, Korçës dhe Elbasanit, si dhe drejtues shkollash të këtyre zonave, të cilët ishin pjesë aktive e programit të trajnimit dhe ndërgjegjësimit. Përveç arritjeve të programit, gjatë një viti u diskutuan çështjet e sigurisë në shkolla dhe nevoja e përfshirjes së temave mbi sigurinë në programin mësimor, përmes kurikulave dhe formalizmit të kushteve të sigurisë.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Dritan Sallaku vlerësoi punën e bërë nga TAP, jo vetëm në përmirësimin e infrastrukturës së shkollave, por edhe në rritjen e ndërgjegjësimit të nxënësve për çështjet e sigurisë. “Shtrirja e programit të sigurisë në rrugë dhe jo vetëm është një domosdoshmëri, pasi njohja dhe zbatimi i rregullave nga fëmijët do të çonte edhe në ndërgjegjësimin e prindërve”.

Menaxherja e Marrëdhënieve me Palët e Interesit në TAP Shqipëri, Diana Sinojmeri, tha: “Gjatë pothuajse një viti TAP dhe KShSRr vizituan më shumë se 70 shkolla përgjatë gjurmës së gazsjellësit TAP në Shqipëri. Nxënësit u informuan në lidhje me sigurinë rrugore dhe sigurinë në përgjithësi. Ky program ishte një përvojë shumë e mirë edhe për ne. Është pozitiv fakti që patëm mbështetjen e Ministrisë së Arsimit që në fillim, por tani duhet bërë një hap tjetër i rëndësishëm për pasurimin e kurikulave”.

Pjesëmarrësit në këtë tryeze të rrumbullakët ndanë mes tyre edhe përvojat e fituara gjatë trajnimeve, por edhe mendimin se këto aktivitete duhet të shtrihen në të gjitha shkollat e vendi.

Në përfundim të tryezës u ra dakord që:

  • Shkollat të realizojnë dy deri në katër orë mësimi, në muaj, në të gjitha klasat me temë mbi sigurinë, nga orët ekstra-kurikulare dhe
  • Në shkolla të zbatohet Rregullorja e Sigurisë e hartuar nga KSHSRr

Këshilli Shqiptar i Sigurisë Rrugore dhe Ministria e Arsimit do të nënshkruajnë një marrëveshje mirëkuptimi, bazuar në këtë program ndërgjegjësimi, ku palët do të zotohen që të punohet bashkërisht për rritjen e ndërgjegjësimit për rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e kurikulave në shkollat 9-vjeçare.

Për TAP, siguria vjen e para dhe për këtë qëllim janë marrë edhe më parë disa nisma për informim, edukim e ndërgjegjësim edhe jashtë kantiereve të ndërtimit. Gjatë muajit nëntor, TAP u bë nismëtar i fushatës ndërgjegjësuese për javën e sigurisë rrugore, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Policinë Rrugore dhe shoqërinë Spiecapag.

Gjatë verës së vitit 2017, TAP nisi një fushatë ndërgjegjësimi në radiot kombëtare dhe lokale për t’i tërhequr vëmendjen drejtuesve të mjeteve që të bënin kujdes me shpejtësinë, përdorimin e celularit, alkoolit dhe përdorimin e rripit të sigurimit.

Të dhëna dhe fakte mbi
Programin e Informimit, Ndërgjegjësimit dhe Trajnimit të Komuniteteve për Sigurinë

  • 5 tryeza pune u mbajtën me mësues nga 70 shkolla.
  • 1,232 orë trajnimi u realizuan me 154 mësues.
  • 22,986 orë trajnimi u kryen për sigurinë në rrugë me 7,762 nxënës në 70 shkolla përgjatë korridorit të transportit të gazsjellësit.
  • Në shkollat e përfshira në këtë program u vendosën Kënde Sigurie me informacione mbi sigurinë rrugore dhe sigurinë në përgjithësi, si dhe kutitë e ndihmës së shpejtë.
  • 1,000 punime artistike (vizatime, ese) u përgatitën nga nxënës të trajnuar mbi temën e sigurisë teknike.
  • 700 individë nga 18 komunitete morën pjesë në trajnimet e sigurisë rrugore.
  • 8 Qendra Shëndetësore në Fier, Berat, Lushnje, Pogradec, Elbasan, Librazhd, Korçë, Ura Vajgurore u trajnuan për ndihmën e parë. 82 punonjës të Qendrave Shëndetësore morën pjesë në trajnim.
  • 2,000 broshura informuese mbi sigurinë u shpërndanë në komunitetet e 11 bashkive përgjatë korridorit të projektit TAP.
  • 16,000 broshura të sigurisë për nxënësit u shpërndanë gjatë trajnimeve në shkolla.