Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP dhe Raiffeisen Bank dhurojnë 36 stola VIENA për sheshin “Skënderbej” në Tiranë

12 janar 2018

Tiranë, Shqipëri. Me datë 11 janar 2018, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) dhe Raiffeisen Bank i dorëzuan Bashkisë së Tiranës 36 stola VIENA, dhuratë e këtyre dy kompanive për sheshin “Skënderbej”. 

 

Të pranishëm gjatë dorëzimit dhe vendosjes së stolave në shesh ishin kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Drejtoresha për Tregtinë dhe Marrëdhëniet me Jashtë dhe Menaxhere e TAP për Shqipërinë, Ulrike Andres, Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank në Shqipëri, Christian Canacaris, dhe Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Johann Sattler.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se stolat e rinj do të tërheqin më shumë njerëz në shesh. “Kjo dhuratë i jep më shumë shpirt sheshit. Sheshet janë objekte infrastrukture, urbanistike, por nëse nuk kanë shpirt, njerëz dhe jetë, bëhen të padobishëm për qytetin. U jam shumë mirënjohës TAP, Raiffeisen Bank dhe Ambasadës së Austrisë dhe besoj se kontributi i një qyteti nuk është monopol i bashkisë”, u shpreh ai.

“Tirana është një qytet shumë mikpritës, ku unë ndihem si në shtëpinë time. Sot, duke parë sheshin ‘Skënderbej’ me stolat e rinj, Tirana, më duket akoma më e afërt, pasi stola të njëjtë kemi edhe në Vjenë, ku unë banoj dhe kam familjen. Dhurimi i stolave VIENA për Bashkinë e Tiranës është pjesë e investimeve sociale dhe mjedisore të TAP në Shqipëri. Na vjen mirë që për t’i bërë këtë dhuratë gjetëm gjuhën e përbashkët edhe me Raiffeisen Bank, Ambasadën e Austrisë dhe Bashkinë e Vjenës.” tha Drejtoresha për Tregtinë dhe Marrëdhëniet me Jashtë dhe Menaxhere e TAP për Shqipërinë, Ulrike Andres.

Stolat VIENA janë prodhuar nga Muzeu Quartier i Vjenës dhe vlera për 36 stolat që iu dhuruan Bashkisë së Tiranës është 70,000 euro, ku TAP ka kontribuar me 42,000 euro dhe Raiffeisen Bank me 28,000 euro. Gjithashtu, Ambasada e Austrisë në Shqipëri dhe Bashkia e Vjenës kanë dhuruar 5 stola të tjerë VIENA.

Tashmë në sheshin “Skënderbej” ndodhen 41 stola VIENA, të cilët përveç funksionit parësor si të tillë, janë përdorur nga Bashkia e Tiranës për të t’i dhënë akoma më shumë ngjyra sheshit kryesor të qytetit. Stolat shumë-ngjyrësh VIENA janë shumë popullorë në qytetet europiane, si në Vjenë apo Mynih.