Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP Përuron Shkollën e Nëntë në Shqipëri

16 shtator 2019

Berat, Shqipëri. Më 16 shtator 2019, ditën e parë të vitit shkollor, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) dhe Bashkia e Beratit hapën dyert e shkollës së re në Uznovë. Mbi 330 nxënës janë përfituesit e këtij investimi prej 540’000 eurosh, pjesë e programit të Investimit Social dhe Mjedisor të TAP.

 

Kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, drejtoresha e shkollës, Lindita Penxho, përfaqësues të TAP Shqipëri dhe mësuesit e shkollës i uruan nxënësit për shkollën e re dhe për vitin e ri shkollor.

Shkolla “Xhemal Çekini” është ndërtuar nga e para dhe tashmë ofron kushte moderne dhe një mjedis më të sigurt për nxënësit dhe mësuesit. Shkolla e re është me dy kate dhe ka 19 klasa, dy laboratorë dhe një bibliotekë. Gjithashtu, krahas ndërtimit të sistemit qendror të ngrohjes, të gjitha ambientet e shkollës janë mobiluar nga ana e TAP. Oborri i shkollës u ridimensionua dhe tashmë ka një fushë basketbolli dhe hapësira çlodhëse. Krahas kësaj, shkolla ka izolim termik, tualete moderne, sistem për mbrojtje nga zjarri dhe shkallë emergjence.

“Nuk ka asnjë investim më të sigurt për të ardhmen sesa ata të orientuara drejt arsimit. TAP jep një shembull shumë të mirë përsa i përket përgjegjësisë sociale. Standardet e zbatuara për këtë shkollë do të ndiqen edhe në realizimin e shkollave të tjera.” tha Kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo.

Diana Sinojmeri, Menaxhere e Marrëdhënieve me Palët e Interesit të TAP në Shqipëri, shtoi: “Fillimi i mbarë është gjysma e punës. Kjo shkollë e re që po hap dyert sot duhet t’ju motivojë të gjithëve të bëheni nxënës dhe qytetarë edhe më të mirë. Ne besojmë se një e ardhme e ndritur nis nga edukimi. Për këtë arsye TAP ka investuar në përmirësimin e shkollave dhe kopshteve në Shqipëri përgjatë gjurmës së projektit në Shqipëri. Jam tej mase e lumtur që ndodhem këtu sot dhe në emër të TAP ju uroj një vit shkollor të mbarë”.

Zbatimi i projektit u menaxhua nga Abkons, kontraktori TAP për investimet sociale dhe mjedisore, ndërsa përgjegjës për ndërtimin e shkollës dhe mjediseve të saj ishte B-93. Gjatë ndërtimit të shkollës, i cili nisi në gusht të vitit 2018, u punësuan rreth 110 persona.

Deri më sot, TAP ka investuar mbi 3 milion euro në rehabilitimin e 11 shkollave dhe çerdheve në Shqipëri. Rreth 5,000 fëmijë janë përfitues të drejtpërdrejtë të këtyre investimeve. TAP mbetet i përkushtuar për të përmirësuar cilësinë e jetesës së komuniteteve përgjatë gjurmës së gazsjellësit në Shqipëri, në bashkëpunim me qeverinë qendrore dhe atë vendore.

 

FUND

 

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP do të transportojë gaz natyral nga fusha gjigante e Shah Deniz II në sektorin azerbajxhanas të Detit Kaspik për në Evropë. Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi dhe përshkon Greqinë dhe Shqipërinë dhe Detin Adriatik përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.

Sasia e parë e gazit do të mbërrijë në Evropë në vitin 2020.

Gjurma e TAP mund të lehtësojë furnizimin me gaz në një sërë vendesh të Evropës Juglindore. Pika e hyrjes së TAP në tokë në Itali ofron mundësi të mëtejshme për transportin e gazit kaspik drejt disa prej tregjeve më të mëdha evropiane.

TAP-i promovon zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Gjithashtu, ai është një burim madhor i investimeve të huaja direkte.

Aksionarët e TAP janë: BP (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

 

Kontakt për Media: agim.fjolla@tap-ag.com    

Më shumë rreth TAP: Twitter | Facebook | Instagram | YouTube