Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP-i Kalon Për Herë të Parë Gaz Natyror në Seksionin Grek të Tubacionit, në kuadër të Fazës së Testimit

26 nëntor 2019

Baar, Zvicër. Më 25 nëntor, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) kaloi për herë të parë gaz natyror në një segment me gjatësi 2 km të tubacionit në Greqi, midis Lumit Evros dhe stacionit të kompresorëve në Kipoi. Kjo është faza fillestare e procesit të kolaudimit të tubacionit për të parë nëse infrastruktura është tërësisht e sigurt dhe e gatshme për funksionim pas përfundimit të procesit, në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë dhe funksionimit.

 

Kalimi i gazit nëpër tubacion është një etapë tjetër drejt nisjes së furnizimit të Evropës me gaz nga Shah Deniz II. Rrjedhja e gazit përmes TAP-it për qëllime tregtare planifikohet të nisë në tetor të vitit 2020, moment kur e gjithë infrastruktura deri në Itali pritet të jetë kolauduar dhe testuar.

Ricardo Ruiz Nuñez, Drejtor Operacionesh i TAP, tha: “Siguria është përparësia jonë e parë dhe jemi përgatitur plotësisht për këtë hap të rëndësishëm. Ne po fillojmë kalimin e gazit natyror në sistem, në përputhje me angazhimin tonë për standardet e sigurisë, mjedisit dhe cilësisë. TAP-i zbatoi një Program “Start Up” për Sigurimin e Gatishmërisë që verifikoi se të gjitha aspektet e ndërtimit, kolaudimit, fillimit dhe kërkesave të operimit të ishin në zbatim përpara kalimit të gazit natyror. Programi i Gatishmërisë për Funksionim siguroi që personeli dhe kontraktorë tanë të ishin tërësisht të trajnuar përpara fillimit të këtij aktiviteti të rëndësishëm që do të jetë në themel të transportit të gazit në Greqi dhe përtej saj.”

John Haynes, Drejtor i Projektit i TAP, tha: “Pas më shumë se tre vite e gjysmë që nga fillimi i ndërtimit, duke lënë pas plot 46 milion orë pune në siguri të plotë dhe 128 milion kilometra të përshkuara me mjete transporti pa incidente madhore, jemi të lumtur që sistemi i gazsjellësit është gjithenjë e më pranë për fillimin e fazës së ndërlikuar të kolaudimit. Dëshirojmë të falënderojmë rrjetin tonë të kontraktorëve, nënkontraktorëve dhe partnerëve që kanë ndarë me ne përkushtimin tonë ndaj sigurisë dhe standardeve të larta të industrisë duke kontribuar në arritjen e kësaj faze të rëndësishme për TAP-in.

Luca Schieppati, Drejtor Menaxhues i TAP, shtoi: “Muajt në vijim do të jenë të rëndësishëm për t’u siguruar që gazsjellësi të kolaudohet dhe të testohet gradualisht për të qenë gati në tetor të vitit 2020 për funksionim dhe fillimin e furnizimit me gaz në Evropë. Paralelisht, po përgatitemi për operacionet tregtare si një Operator Sistemi Transmetimi dhe si një Operator i Pavarur Transmetimi. Deri tani rrugëtimi ka qenë entuziazmues dhe mezi presim të sjellim një burim të ri gazi në Evropë përmes një rruge të re, duke kontribuar me më shumë mundësi dhe më shumë siguri për energji.”

Pas kolaudimit të seksionit të parë, në javët dhe muajt në vijim do të vijojë gradualisht kalimi i gazit në seksione të tjera të tubacionit grek dhe më tej në Shqipëri dhe Itali.

Si pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, me vlerë 40 miliard dollarë dhe gjatësi 3.500 kilometrash, që shtrihet nga Deti Kaspik deri në Evropë, TAP-i do të ofrojë një korridor të drejtpërdrejtë dhe të leverdishëm për vendet e Evropës Juglindore, dhe më tej.

 

 

FUND

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP do të transportojë gaz natyral nga fusha gjigante e Shah Deniz II në sektorin azerbajxhanas të Detit Kaspik për në Evropë. Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi dhe përshkon Greqinë dhe Shqipërinë dhe Detin Adriatik përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.

Sasia e parë e gazit do të mbërrijë në Evropë TAP në vitin 2020.

Gjurma e TAP mund të lehtësojë furnizimin me gaz në një sërë vendesh të Evropës Juglindore. Pika e hyrjes së TAP në tokë në Itali ofron mundësi të mëtejshme për transportin e gazit kaspik drejt disa prej tregjeve më të mëdha evropiane.

TAP-i promovon zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Gjithashtu, ai është një burim madhor i investimeve të huaja direkte.

Aksionarët e TAP janë: BP (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Kontakt për Media: agim.fjolla@tap-ag.com    

Më shumë rreth TAP: Twitter | Facebook | Instagram | YouTube