Skip to main content

Kthehu pas

TAP Trajnon dhe Punëson në Shqipëri Inspektorë për Saldime Tubacionesh Gazi

12 korrik 2017

Tiranë, Shqipëri. Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) organizoi në qershor trajnimin për Inspektorë Saldimesh për tubacionet e gazit. Në këtë trajnim katër ditor, i cili organizohet për herë të parë në Shqipëri, morën pjesë 12 persona, të gjithë shqiptarë. Pjesëmarrësit janë certifikuar si inspektorë saldimesh për tubacione dhe do të nisin punën në TAP.

 

Trajnimi për inspektorë saldimesh është organizuar nga TAP për të plotësuar nevojat e ndërtimit të tubacionit dhe për t’i krijuar më shumë hapësira profesionistëve shqiptarë në proceset e ndërtimit të gazsjellësit. Trajnimi u organizua nga një prej kompanive më me eksperiencë në këtë sektor si Bureu Veritas, një lider botëror në testimin, inspektimin, certifikimin dhe trajnimet industriale.

Richard Yves Anstey, Menaxher i Ndërtimit të Tubacionit të TAP në Shqipëri shprehet: “Ne do të vijojmë të përfshijmë ekspertë vendas në çdo fazë të ndërtimit të gazsjellësit. Ky trajnim shërben për të zhvilluar njohuritë e profesionistëve vendas në kontrollin e cilësisë së saldimeve.”

Diana Xhafa, pjesëmarrëse në trajnim, tha: “TAP na ka krijuar një mundësi të dyfishtë të cilën e vlerësojmë shumë. Përveç trajnimit të mirëfilltë, na u ofrua edhe punësimi. Trajnimi dhe eksperienca në punë që po na ofrohet pasurojnë profilin tonë profesional për mundësi të tjera punësimi në të ardhmen, edhe jashtë Shqipërisë.”

TAP është i përkushtuar për zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve vendore në fushën e energjisë. Në shkurt të 2017-ës, TAP organizoi një takim informues me profesionistë të rinj mbi mundësitë për t’u bërë inspektorë terreni. Përveç trajnimeve për profesionistë, TAP ka krijuar edhe programin e praktikave profesionale për studentët që në të ardhmen duan të ndjekin një karrierë në fushën e energjisë.

Aktualisht në TAP punojnë më shumë se 2’800 persona dhe afërsisht 84% e tyre janë shqiptarë.