Skip to main content

Kthehu pas

TAP zbulon Një Vendbanim Kompleks Antik në Berat

02 nëntor 2017

Tiranë, Shqipëri. Gazsjellësi Trans Adriatik, TAP, gjatë punimeve për ndërtimin e tubacionit zbuloi një vendbanim kompleks zhvilluar në faza të ndryshme historike, nga shekulli i VI e.s. deri në shekullin e XVll – XVIII, në kilometrin e 137-të të gazsjellësit TAP, pranë fshatit Fushë-Peshtan, në afërsi të Beratit. 

 

Ky sit arkeologjik u identifikua para fillimit të punimeve, gjatë studimeve të terrenit. TAP dhe kontraktori i TAP për trashëgiminë kulturore, Abkons, ndërmorën një gërmim arkeologjik shpëtimi dhe zbuluan mbetje arkeologjike të rëndësishme. Duke nisur nga rëndësia e këtij zbulimi arkeologjik, TAP vendosi që të devijojë gjurmën e gazsjellësit dhe të ruajë të paprekur vendbanimin arkeologjik në fjalë.

Lorenc Bejko, Ekspert i Trashëgimisë Kulturore për TAP në Shqipëri, tregon se: “Nga gërmimet arkeologjike doli në dritë një ndërtesë, rrënojat më të vjetra të së cilës i takojnë periudhës së antikitetit të vonë (shek.. VI e.s.), ku dalloheshin disa ambiente për magazinimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Pranë këtyre ambienteve u zbuluan dhe rrënojat e një kishe të vogël, po të kësaj periudhe. Mbi këto rrënoja, në periudhën osmane (shek. XVll – XVlII) është ndërtuar një kompleks banimi shumë i madh, ku mund të dallohet edhe një banjo turke / hamam.”

Për TAP, shpëtimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore përgjatë gjurmës së gazsjellësit është shumë e rëndësishme. Mbi 50 arkeologë dhe specialistë të trashëgimisë kulturore monitorojnë në vazhdimësi punimet e gazsjellësit dhe dokumentojnë me profesionalizëm çdo element të trashëgimisë kulturore, sipas standardeve më të larta, duke përfshirë kërkesat e legjislacionit shqiptar, normat ligjore të Bashkimit Europian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare të industrisë për trashëgiminë kulturore.

Deri tani TAP ka arritur të identifikojë afërsisht 210 site dhe monumente kulturore në afërsi të gjurmës. Numri i gjetjeve rastësore llogaritet në rreth 30 dhe në 50% të rasteve janë kryer gërmime shpëtimi dhe në site të tjera që janë në mbrojtje. Bëhet fjalë për zbulime të rëndësishme që datojnë nga periudha e neolitit të hershëm e deri në shekullin e XVlll, kryesisht në zonën e Korçës, Beratit dhe Skraparit.