Skip to main content

Kthehu pas

TAP ndihmon në pastrimin e lumit Osum

18 dhjetor 2017

Berat, Shqipëri. Me datë 15 dhe 16 dhjetor, Gazsjellësi Trans Adriatik, TAP, iu bashkua vullnetarisht nismës së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për të pastruar nga mbeturinat dhe thelluar shtratin e lumit Osum, si pjesë e fushatës “Pastrojmë Shqipërinë që duam”. 

 

TAP ofroi ekskavatorë dhe kamionë për të bërë pastrimin dhe më tej largimin e mbetjeve urbane dhe të ngurta, që kanë pushtuar prej shumë kohësh shtratin e lumit Osum në Berat.  Në segmentin Ura e Velabishtit – Uznovë, 10 mjete të vëna në dispozicion nga TAP po pastrojnë dhe gërryejnë shtratin e lumit. Përveç mjeteve, punonjës të TAP i janë bashkuar kësaj nisme duke ofruar ndihmën e tyre.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, duke falënderuar pjesëmarrjen e TAP tha: “Kjo ndihmë është e domosdoshme për banorët e Beratit, për të pasur një mjedis të shëndetshëm që promovon turizmin dhe për të shmangur përsëritjen e përmbytjeve në të ardhmen.”

Në këtë  aksion, përveç Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe TAP, janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura, Prefektura e Beratit, Bashkia e Beratit, Bashkia e Urës Vajgurore si edhe disa kompani private.

Kjo nuk është hera e parë që TAP i është përgjigjur komuniteteve pranë gjurmës së gazsjellësit në raste emergjencash. Në janar 2017, TAP ndihmoi rreth 1300 familje me ushqime për të përballuar dimrin e ashpër ndërsa në gusht 2017 i dhuroi Emergjencave Civile uniforma dhe fikse zjarri.