Skip to main content

Pamje e përgjithshme e mundësive

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) i jep kompanive dhe individëve shumë mundësi për t’u përfshirë në zbatimin e një prej projekteve më të rëndësishme të infrastrukturës energjetike në Evropë. 

Mundësi për profesionistë me aftësi

Ndërtimi i një gazsjellësi me madhësinë e TAP-it, në tre vende të ndryshme, është një mision kompleks dhe me shumë sfida. Aktualisht, në zyrat tona qendrore në Zvicër dhe në zyrat tona të Degëve në Greqi, Shqipëri dhe Itali, ne kemi punësuar mbi 100 specialistë nga shumë vende të botës dhe më shumë se 200 ekspertë nga kompani të kontraktuara shërbimesh.

Ekipi i projektit TAP përbëhet nga profesionistë më të kualifikuar në selinë tonë, ndërsa kontraktorët dhe nënkontraktorët tanë punësojnë punëtorë me një mori aftësish, ndërsa zhvillimi i projektit përparon. 

Lexoni më shumë në seksionin e Mundësive për Individët për t’u informuar mbi vendet aktualisht të hapura në TAP dhe se si mund të aplikoni për t’u punësuar me to.

Ekspertët e pavarur presin që TAP-i të nxisë hapjen e mijërave vendesh pune, si në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes kontraktorëve të tij ashtu edhe në mënyrë të tërthortë përmes efekteve ‘rrjedhëse’ ekonomike gjatë jetëgjatësisë së gazsjellësit.

Faktikisht shumica e mundësive të drejtpërdrejta ose të tërthorta për punësim në Greqi, Shqipëri dhe Itali, do të krijohen nga kontraktorët dhe nënkontraktorët e TAP-it. Këto kompani do të punësojnë një numër të konsiderueshëm specialistësh për t’i ofruar shërbimet e tyre TAP-it. Ne rekomandojmë që personat e interesuar të monitorojnë nga afër tregjet vendore të punës për mundësi që lidhen me TAP-in në vendet e tyre. 

Mundësitë për kompanitë

Si një nga zhvillimet infrastrukturore energjetike më të rëndësishme në Evropë, TAP-i ofron shumë mundësi për kompani ndërkombëtare apo edhe kombëtare e vendore për punë, si furnitorë dhe ofrues shërbimesh.

Kjo ndihmon për të realizuar një nga synimet thelbësore të projektit lidhur me krijimin e një trashëgimie të qëndrueshme në vendet nëpër të cilat kalon gazsjellësi.

Ne besojmë se dhënia e mundësive të tilla personave dhe bizneseve, jo vetëm drejtpërsëdrejti përmes ndërtimit të TAP-it, por edhe në veprimtari të tjera përkatëse ekonomike, do të jetë një gur themeli i asaj trashëgimie që duam të arrijmë.

Lexoni më shumë për procesin tonë të prokurimit dhe se si ne përzgjodhëm kompanitë e duhura për të punuar me TAP-in.

Të drejtat e njeriut dhe barazia

Në TAP, besojmë në parimet e drejtësisë, transparencës dhe barazisë. Kjo është e vërtetë për mënyrën se si trajtohet çdo individ dhe entitet, nga punonjësit tanë, kontraktorët dhe nënkontraktorët, e deri tek komunitetet në të cilat ne punojmë.

TAP-i ishte një nga projektet e para gazsjellëse, që mori përsipër Parimet vullnetare të Biznesit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara (UNBPHR), një dëshmi tjetër kjo e përkushtimit tonë për barazi.

Si pjesë e këtij angazhimi, TAP-i siguron se çështjet e të drejtave të njeriut merren tërësisht në konsideratë gjatë të gjitha fazave të zbatimit të projektit.

Ne jemi të angazhuar t’i ofrojmë të gjithë punonjësve një ambient pune jodiskriminues, dhe të jemi në përputhje me praktikat më të mira për menaxhimin e burimeve njerëzore dhe shëndetin e sigurinë në punë.

Në të njëjtën mënyrë, ne presim që të gjithë kontraktorët e përfshirë në ndërtimin dhe punën e TAP-it të angazhohen për të njëjtat parime dhe të përpiqen të përmbushin të njëjtat standarde.

Ne gjithashtu sigurojmë përputhshmëri të plotë në të gjithë zinxhirin tonë të furnizimit me standardet bazë të punës siç përcaktohen nga Organizata Ndërkombëtare e Punës.