Skip to main content

Kthehuni në listën e plotë të lajmeve

TAP Nxjerr Njoftimin për Kontratat SCADA dhe Kabullin me Fibër Optike

21 shtator 2015

 

Baar, Zvicër. Trans Adriatic Pipeline AG (TAP) fton kompanitë të para-kualifikohen për ofrimin dhe dorëzimin e sistemit të Kontrollit Mbikëqyrës dhe të Mbledhjes së të Dhënave (SCADA) dhe kabullit me fibra optike. Këto janë kontratat e fundit në formatin e paketës së madhe që do të jepen nga TAP-i për ndërtimin e projektit si artikuj të ofruar nga kompanitë. 

Këto kontrata kanë kanë për qëllim të mbulojë sa më poshtë:

  • Inxhinierinë, prokurimin dhe instalimin e sistemeve SCADA, të telekomunikacionit dhe sigurisë. Sistemi SCADA do të ofrojnë monitorim dhe kontroll të integruar, të centralizuar dhe të vazhdueshëm përgjatë gjithë sistemit të transportit të gazit prej 878 km gjatësi dhe të gjitha të dhënat do të transmetohen në qendrën mbikëqyrëse të kontrollit në Terminalin Pritës të Gazsjellësit (PRT) në Italinë e jugut, që do të mbikëqyrë të gjitha veprimtaritë e sigurta dhe të qëndrueshme të gazsjellësit.
  • Prodhimin dhe dorëzimin e rreth 1.550 kilometrave kabull me fibër optike që do të mundësojë kanalin e ndërsjellë të komunikimit nga tubacioni dhe asetet e lidhura me të, si stacionet e kompresorëve dhe stacionet e valvulave të bllokimit me qendrën mbikëqyrëse të kontrollit.

Norman Ingram, Drejtor Projekti i TAP tha: “Me nxjerrjen e këtyre njoftimeve të fundit për para-kualifikim, TAP ka arritur në një etapë tjetër të rëndësishme në procesin e prokurimit. Sistemi SCADA së bashku me kabullin me fibër optike do të lehtësojnë sistemin e kontrollit që mundëson monitorimin dhe kontrollin e sigurt dhe efikas të operacioneve të gazsjellësit. Procesi i përzgjedhjes i TAP-it mbetet transparent, rigoroz dhe vendos theks të veçantë në përmbushjen e standardeve të shëndetit, sigurisë teknike në punë, sigurimit, mjedisit dhe atyre sociale.”

Detajet specifike të njoftimeve për kontratat mund të gjenden në Shtojcën e Gazetës Zyrtare të BE-së - Tenders Electronic Daily (TED): sistemi SCADA link dhe kabulli me fibër optike link.

Afati i fundit brenda të cilit kompanitë mund të kërkojnë pyetësorin e para-kualifikimit është data 30.09.2015. Pas fazës para-kualifikuese, TAP-i synon të nxjerrë Ftesat përkatëse për Tender (ITT) në fund të vitit 2015. Kontratat priten të jepen në mesin e vitit 2016.

Për më shumë informacion rreth procesit të prokurimit të TAP-it dhe kontratat që planifikon të japë, ju lutemi vizitoni: http://www.tap-ag.com/project-opportunities/for-companies

 

FUND

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Evropë. Gazsjellësi me gjatësi prej rreth 878 km do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në afërsi të kufirit turko-grek, në Kipoi, do të përshkojë Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik dhe do të dalë përsëri në tokë në Italinë e Jugut.

Gjurma e TAP mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë, si dhe vendet e tjera. Vend-dalja e TAP në Itali ofron mundësi të shumta për transportin e mëtejshëm të gazit kaspik drejt disa prej tregjeve më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Austria.

TAP do të promovojë zhvillimin ekonomik dhe punësimin përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Ai do të jetë një investim i madh i drejtpërdrejtë i huaj dhe si projekt nuk varet nga grantet apo subvencionet. Ndërkohë që shitjet e para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi priten të ndodhin në fund të vitit 2018, transporti i parë drejt Evropës pritet të ndodhë afërsisht në vitin 2020.

Aksionarët e TAP-it janë BP (20%), SOCAR (20%), Statoil (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Pyetje nga Media: media@tap-ag.com

Më shumë rreth TAP: www.tap-ag.com | www.twitter.com/tap_pipeline